34.4 C
New York
Friday, July 25, 2025

Buy now

Aprovohet kërkesa e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së për qasje në aktgjykimin e Apelit për Pjetër Shalën

- Advertisement -

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhKS) në Hagë, është marrë vendim që mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit t’iu jepet qasje në aktgjykimin konfidencial të Gjykatës së Apelit ndaj Pjetër Shalës.

Sipas asaj që tha zëdhënësja e DhSK-së, Angela Griep, Paneli i Apelit ua ka rikujtuar palëve klasifikimin konfidencial të dokumentit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve, në kërkesën e tyre të dorëzuar më 22 korrik 2025, me të cilën i janë drejtuar Panelit të Apelit që shpalli aktgjykimin ndaj Shalës, kishin thënë se ekziston një qëllim i ligjshëm hetimor për këtë kërkesë dhe se qasja në materialin e kërkuar është e nevojshme për mbrojtjen, për shkak se sipas tyre, do ta lehtësonte procesin gjyqësor në këtë rast.

Përveç kësaj, Griep tha së në të njëjtën çështje, më 17 korrik 2025 është rrëzuar kërkesa e mbrojtjes së viktimave për të pranuar informacion plotësues lidhur me dëmin që iu është shkaktuar viktimave pjesëmarrëse në proces.

“Trupi gjykues doli në përfundimin se, në rast se duhet të dorëzohet ky informacion, atëherë ai është objekt i të njëjtave rregulla sikurse për dëshmitë me shkrim të dëshmitarëve. Për rrjedhojë, Trupi Gjykues urdhëroi mbrojtjen e viktimave ta njoftonte deri më 22 korrik nëse synonte ta dorëzonte informacionin lidhur me viktimat në përputhje me rregullat për pranimin e dëshmive me shkrim të dëshmitarëve”, tha Griep, duke shtuar se mbrojtja e viktimave ka thënë se synon ta bëjë një gjë të tillë.

Zëdhënësja tregoi se së fundi është bërë publik edhe një vendim i majit për pranimin e disa provave që kanë të bëjnë me tre dëshmitarë, si dhe Prokuroria kishe kërkuar leje që ët shtonte një paragraf të deklaratës së një prej dëshmitarëve në listën e provave.

“Trupi Gjykues e miratoi mocionin pjesërisht dhe nuk pranoi deklaratën e një prej dëshmitarëve, pasi konstatoi se vlera provuese e saj zhbëhej prej efektit dëmtues. Trupi Gjykues theksoi se pesha dhe mbështetshmëria përfundimtare në deklaratat e pranuara do të vlerësohet në fund të gjykimit duke marrë parasysh të gjitha provat, përfshirë parashtrimet e palëve lidhur me to”, tha Griep.

Griep foli edhe për konferencën për ecurinë e çështjes të mbajtur më 22 korrik 2025, në këtë rast, në të cilën mbrojtja e ka njoftuar trupin gjykues që mund të mos jenë në gjendje që të respektojnë afatet e caktuara nga trupi gjykues lidhur me fillimin e paraqitjes së provave të tyre dhe kërkuan që të fillojnë me paraqitjen e tyre më 15 shtator.

“Mbrojtja theksoi se disa prej dëshmitarëve të vet do të flisnin për aspekte që janë të klasifikuara si konfidenciale nga organizata të tjera dhe, përpara se informacioni të nxirret në sallën e gjyqit, duhet të merret autorizim nga ofruesi i informacionit. Gjithashtu, Mbrojtja theksoi se ishte përgatitur për afate të ndryshme diskutuar në fillim të këtij viti dhe për këtë arsye mund të ishte e vështirë për të që të respektonte afatet e caktuara nga Trupi Gjykues në qershor të këtij viti. Trupi Gjykues njoftoi se do të lëshonte vendim me shkrim lidhur me afatet”, tha Griep.

Kurse, në çështjen Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi, Griep tha se më 21 korrik, gjykatësja e procedurës paraprake rrëzoi kërkesën e mbrojtjes së Fazliut që Prokuroria t’i kthente telefonin e sekuestruar meqenëse ishte bërë kopje forenzike e telefonit.

Griep tha se më 23 korrik është miratuar pjesërisht një kërkesë e mbrojtjes së Thaçit për të lejuar që ai të apelojë vendimin për rrëzimin e kërkesës paraprake lidhur me kundërshtimin e juridiksionit të DhSK-së.

Zëdhënësja tha se mbrojtja e Thaçit kundërshton vendimin e gjyqtares së procedurës paraprake lidhur me përgjegjësitë e trupit gjykues në çështjen e të akuzuarit për krime lufte dhe të tjerët, përkundrejt gjykatësit të vetëm dhe asaj të procedurës paraprake.

“Gjykatësja e Procedurës Paraprake rrëzoi kërkesën për të apeluar këtë pikë, duke theksuar se Prokuroria veproi drejt që i dorëzoi Gjykatësit të Vetëm kërkesat lidhur me hetimin e pretendimeve për orvatje për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, pasi Gjykatësi i Vetëm është përgjegjës për trajtimin e çdo kërkese që kërkon autorizim gjyqësor dhe aspektet përkatëse, para dorëzimit të një aktakuze. Gjykatësja e Procedurës Paraprake theksoi më tej se, pavarësisht se ndërhyrja e pretenduar ndaj dëshmitarëve ka buruar nga çështja për krime lufte, ato janë dy çështje gjyqësore të ndryshme dhe për rrjedhojë Trupi Gjykues në çështjen për krime lufte nuk mund të ushtrojë kompetencat e veta në këtë çështje”, tha Griep.

Gjithashtu, zëdhënësja shtoi se gjyqtarja e procedurës paraprake ka autorizuar mbrojtjen e Thaçit që t’i paraqes Apelit pyetje se si faktet e shqyrtuara në procese të tjera për krime lufte mund të zbatohen në këtë çështje gjyqësore, pasi konstatoi se ky aspekt mund të ndikojë në mënyrë të qenësishme në rezultatin e gjykimit dhe vlerësoi se ishte e rëndësishme të zgjidhej ky aspekt që në fillim, në mënyrë që Thaçi të ketë kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur siç duhet për mbrojtjen e tij.

“Gjykatësja e Procedurës Paraprake po ashtu e autorizoi Mbrojtjen e Thaçit t’i paraqiste panelit të Apelit pyetje nëse Gjykatësja e Procedurës Paraprake duhet të rishikojë detyrat e veta si Gjykatëse e Procedurës Paraprake dhe Gjykatëse e Vetme dhe nëse duhet të lejohet Mbrojtja të kundërshtojë, përmes një mocioni paraprak, praktikën e caktimit të së njëjtës gjykatëse si Gjykatëse e Vetme dhe Gjykatëse e Procedurës Paraprake. Sipas Gjykatëses së Procedurës Paraprake, këto aspekte kanë të bëjnë me të drejtën e z. Thaçi për t’u gjykuar nga një tribunal i pavarur dhe i paanshëm siç garantohet në Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, kështu që janë pika të apelueshme”, thuhet tutje.

Në konferencë u tha se më 23 korrik, gjyqtarja e procedurës paraprake ka miratuar një kërkesë tjetër të mbrojtjes së Thaçit, ku kishte lejuar që të apelonte vendimin e saj të mëparshëm, ku e rrëzoi kërkesën për ndarjen e procesit të Thaçit nga të akuzuarit e tjerë.

“Gjykatësja e Procedurës Paraprake është bindur se kjo ka të bëjë me aspektin sesi konstatimet në një çështje gjyqësore do të lidhen me çështjen tjetër dhe për rrjedhojë mund të ndikojë në mënyrë të qenësishme në rezultatin e gjykimit. Ajo konstatoi më tej se zgjidhja e hershme e kësaj pike do të thjeshtonte procesin dhe do të avanconte të drejtat e të akuzuarve për t’u gjykuar në kohë të arsyeshme”, tha Griep.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë

Të ngjashme

Të fundit