Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka thënë se është krenare që ka dhënë kontribut që shërbimi ndërkombëtar i pagesave “Apple Pay” të jetë i disponueshëm edhe në Kosovë, teksa e ka cilësuar këtë si lajm të madh.
Sipas Ambasadës, kjo e bën Kosovën vend edhe më tërheqës për investimet amerikane dhe inovacion.
“Lajm i madh për ekonominë dixhitale të Kosovës: Apple Pay tani është zyrtarisht i disponueshëm! Ambasada e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur këtë hap të rëndësishëm, i cili pasqyron rolin gjithnjë e më të madh të kompanive amerikane që investojnë në të ardhmen e Kosovës. Ky moment i rëndësishëm avancon objektivat e Kosovës për rritje ekonomike, përfshirje financiare dhe modernizim dixhital, duke ndihmuar për ta bërë vendin edhe më tërheqës për investime dhe inovacione amerikane”, thuhet në reagim.