Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj, ka bërë të ditur se gjatë verifikimit të deklarimeve të pasurisë janë identifikuar mbi 78 raste me dallime substanciale, të cilat janë dërguar në Prokurori për procedim penal.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ai theksoi se zyrtarët e përfshirë janë ballafaquar me gjetjet dhe kanë pasur mundësinë të justifikojnë pasurinë e tyre me dokumente zyrtare. Në shumë raste, mungesa e arsyetimit të besueshëm ka çuar në kallëzime penale.
Përveç këtyre rasteve, janë shqiptuar mbi 100 gjoba për vonesë në deklarim dhe priten edhe mbi 20 kallëzime të tjera penale ndaj zyrtarëve që nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor.
“Jemi në proces të verifikimit të deklarimeve për vitin e kaluar, të cilat janë përfunduar këtë vit, përderisa e kemi përfunduar verifikimin e deklarimit të pasurisë që janë bërë në vitin 2024 për vitin 2023. Si rezultat i këtij procesi kemi dërguar në prokurori mbi 78 raste të kallëzimeve penale për të cilat besojmë që mund të ngriten kallëzime penale, sepse kemi evidentuar dallimin substancial të deklarimit të pasurisë nga ajo në të cilën kemi pranuar që i posedojmë informacionet publike. Secili nga këta zyrtarë është kontaktuar në proces dhe janë ballafaquar me ato që kemi gjetur. Secili nga ta ka pasur mundësinë që të ofrojë dokumentacionet të cilat e kishin arsyetuar atë dallim. Dokumentet duhet të jenë dokumente zyrtare”, tha Buleshkaj.
Ai shtoi se rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë janë deleguar në Prokurorinë Speciale.
“Prokuroria do të kryejë hetimet penale, do të verifikojë disa elemente të tjera, dashjen për fshehje, pasuria a është fituar në mënyrë të ligjshme apo jo. Të gjitha këto raste janë deleguar nga Prokuroria e Shtetit, por ka edhe zyrtarë të nivelit të lartë. Rastet e tyre janë deleguar në Prokurorinë Speciale, sipas ligjit ata janë përgjegjës për të gjithë zyrtarët e lartë, e që përfshijnë nga drejtorët e departamenteve deri te Presidenti i vendit. E mira është që rastet po trajtohen dhe nuk kanë mbetur kallëzime penale në zyrat e Kryeprokurorit. Shpresojmë që secila informatë që e kemi dorëzuar në Prokurori të rezultojë me një aktakuzë dhe pastaj secili zyrtar që ka shkelur ligjin të marrë dënimin e merituar ashtu si e parasheh ligji, me burg efektiv apo me kusht, po ashtu me gjobën që mund ta shqiptojë gjyqësori.”
Sipas tij, dënimet e merituara nga gjyqësori janë mënyra më e mirë për të parandaluar korrupsionin dhe për të rritur vetëdijen në shërbimin publik.
“Për vonesa, ne kemi shqiptuar gjoba. Jemi në fazën e finalizimit të kallëzimeve penale që ndërlidhen me vonesën e deklarimit të pasurisë të këtij viti, përderisa kemi mbi 100 gjoba të shqiptuara. Tashmë, nga ajo çka kemi pranuar, ka shumë mundësi që do të dërgojmë më shumë se 20 kallëzime penale, sepse ata kanë pranuar gjobën dhe nuk e kanë kryer obligimin e tyre për të deklaruar pasurinë. Ne presim që të gjitha kallëzimet tona penale të kthehen në aktakuza, sepse ajo është parandalimi më i mirë i korrupsionit kur sistemi gjyqësor jep vendime meritore dënuese. Si e tillë, ngrihet vetëdija e zyrtarëve publik”, ka thënë ai.