10.5 C
New York
Monday, April 21, 2025

Buy now

Apeli vërteton dënimin me 15 vjet e gjysmë burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e vëllait

- Advertisement -
Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me të cilin i akuzuari E.J., është dënuar me dënim unik prej 15 vjet e 6 muaj burgim lidhur me vrasjen e vëllait të tij.

Ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishte ushtruar mbrojtësja e të akuzuarit J., avokatja Albana Peci, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe vendimit lidhur me sanksionin penal, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokatja Peci kishte propozuar që aktgjykim i shkallës së parë të anulohet dhe çështja penale t’i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim e vendosje, apo që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe i mbrojturi i saj të lirohet nga akuza, si dhe t’i shqiptohet masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në institucion përkatës.

Kurse, Prokuroria e Apelit ka propozuar që ankesa e mbrojtëses së të akuzuarit, të refuzohet si e pabazuar, kurse aktgjykimi i Themelores të vërtetohet.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtëses së të akuzuarit E.J., av. Albana Peci, kurse aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, P.nr.19/2024, të dt.15.11.2024, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit të marrë më 12 shkurt 2025.

Mbrojtja e të akuzuarit kishte pretenduar se Themelorja nuk ka arritur që të arsyetojë me asnjë provë që i mbrojturi i saj e ka kryer me dashje veprën për të cilën është akuzuar.

“Aktgjykimit i mungon në tërësi arsyetimi dhe gjykata e shkallës së parë me asnjë provë relevante dhe bindëse nuk ka arritur të arsyetoj se i akuzuari me dashje ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë”, thuhet në arsyetim të vendimit.

Sipas avokates, Themelorja nuk i ka vlerësuar në masë të duhur të gjitha provat nga shkresat e lëndës, por aktgjykimin e ka bazuar në deklaratën e të dëmtuarës- dëshmitares F.M., Xh.H., si dhe provat materiale sikurse është ekspertiza psikiatrike, si dhe deklaratën e ekspertit psikiatër Arsim Gashi. Sipas saj, të gjitha këto prova janë të pabazuara pasi nuk kanë mbështetjen e duhur ligjore.

Sipas avokates Peci, dëshmia e dëshmitares F.M., nuk është provë kredibile pasi që e njëjta gjatë dhënies së dëshmisë së saj në Gjykatë ka deklaruar se ka probleme psikike. Në ankesë thuhet se Themelorja është dashur që t’ia falë besimin edhe ekspertizës psikiatrike të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, ku është konstatuar se i akuzuari vuan nga çrregullimi i personalitetit – tipi i paspecifikuar dhe se në momentin e kryerjes së veprës penale aftësia e tij për të kontrolluar veprimet ka qenë esencialisht e zvogëluar.

Por, Apeli ka gjetur se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe se janë vlerësuar të gjitha provat nga shkresat e lëndës.

“Kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, sipas ankesës së mbrojtësit së të akuzuarit E.J., av. Albana Peci, dhe ka ardhur në përfundim se aktgjykimi nuk përfshihet me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, e as me shkeljet e ligjit penal, se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të drejt dhe të qartë, pasi që janë vlerësuar të gjitha provat nga shkresat e lëndës”, thuhet në arsyetim të vendimit.

Sipas Apelit, vendimi i Themelores është i qartë, i kuptueshëm dhe në harmoni me vetveten si dhe me arsyetimin në secilën pikë të dispozitivit të aktgjykimit. Aty thuhet se në mënyrë të qartë shkalla e parë ka paraqitur çdo veprim inkriminues të kryer nga ana e të akuzuarit J,.

“Provave nga shkresat e lëndës iu ka dhënë lidhje të pa shkëputur, andaj pasi që ka vërtetuar veprat penale të përshkruara sikurse në pikën I dhe II të dispozitivit të aktgjykimit, rezulton se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye për çdo veprim të marrë në këtë çështje penale për të vërtetuar ekzistimin e secilës vepër penale dhe ka dhënë arsye të mjaftueshëm për secilin veprim…”, thuhet tutje në vendim.

Gjithashtu, sipas Apelit lidhur me këtë çështje janë zbatuar në mënyrë të drejtë të gjitha dispozitat përkatëse ligjore sikurse janë të gjitha veprimet procedurale të ndërmarra për vërtetimin e ekzistimit të veprës penale.

Apeli vlerëson se nga të gjitha provat personale në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprat që i vihen në barrë.

“Nga kjo rezulton se në mënyrë të qartë dhe shprehimore gjykata e shkallës së parë ka paraqitur në dispozitiv të aktgjykimit çdo veprim inkriminues të kryer nga ana e të akuzuarit E.J., pasi që i njëjti pas një fjalosjes rreth ndaljes së zërit të muzikës e sulmon të dëmtuarin duke e goditur me thikë të kuzhinës të gjatësisë në teh 12cm, dhe atë pesë herë në trup dhe duke i shkaktuar plagë prerëse shpuese, të cilat veprime i ka vërtetuar pasi që ka vlerësuar të gjitha deklaratat personale si dhe provat materiale nga shkresat e lëndës”, thuhet tutje në vendim.

Lidhur me faljen e besimit të dëshmisë së të dëmtuarës F.M., thuhet se Gjykata veproi drejt pasi që është e vërtet që i akuzuarin ka goditur me thikë viktimën.

Ndërsa, lidhur me deklarimin e ekspertit Dr. Arsim Gashi, sa i përket ekspertizës dhe konstatimit që i akuzuari vuan nga çrregullimi i personalitetit – tipi i paspecifikuar, thuhet se eksperti ka deklaruar që këto çrregullime ndërlidhen me përgjegjësinë esencialisht të zvogëluar, mirëpo i akuzuar në kohën e kryerjes së kryerjes penale ka pasur aftësi të plotë të veprimit.

Apeli vlerëson se Themelorja drejt ka vendosur kur e ka shpallur të akuzuarin fajtor dhe ia ka shpallur dënimin përkatës dhe se aktgjykimi nuk përfshihet në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe as në ato të Ligjit Penal.

Rrethanë lehtësuese, ndër të tjera thuhet se është marrë konstatimi i ekspertizës se i akuzuari vuan nga çrregullimi i personalitetit tipi i pasecifikuar dhe aftësia për të kontrolluar veprimet e veta ka qenë e zvogëluar në shkallë joesenciale, kurse rënduese mënyra e kryerjes së veprave penale.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 25 mars 2024, ka ngritur aktakuzë kundër E.J., i cili ngarkohej se më 5 nëntor 2023, në banesën e tij, në veri të Mitrovicës, me dashje e ka privuar nga jeta vllanë e tij – tani të ndjerin E.J, pas një fjalosjeje rreth ndaljes së zërit të muzikës.

Sipas aktakuzës, thuhet se i pandehuri J., e kishte sulmuar viktimën me thikë të kuzhinës 5 herë nëpër trup, duke i shkaktuar plagë si pasojë e të cilave kishte vdekur në Spitalin e Mitrovicës.

Me këtë, J., akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktakuza thotë se në ditën, kohën dhe vendin si në pikën e parë të dispozitivit, i pandehuri E.J., pa autorizim ka poseduar një pistoletë.

Me këtë, akuzohej se e ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme

Të fundit