11.7 C
New York
Thursday, November 6, 2025

Buy now

Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj Ukë Rugovës dhe tre tjerëve për krim të organizuar me vizat italiane

- Advertisement -

Gjykata e Apelit ka marrë vendim, përmes të cilit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë e cila kishte liruar nga akuza ndaj ish-deputetin Ukë Rugova, ish-ministrin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, Qefser Bahollin dhe Izet Beqirin- të cilët akuzoheshin për krim të organizuar e kontabandim me migrantë.

Shkalla e dytë, po ashtu vërtetoi aktgjykimin dënues për armëmbajtje pa leje ndaj Rugovës, Bahollit dhe Beqirit. Pra, Rugovës i vërtetohet dënimu me gjobë në shumën prej 6 mijë euro për armëmbajtje pa leje, kurse Beqirit dhe Bahollit, dënimi me gjobë për secilin veç e veç nga 3 mijë e 500 euro, për të njëjtën vepër penale, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Të akuzuarit ngarkoheshin se duke vepruar si grup kriminal, për qëllime të përfitimit material, i kanë pajisur qytetarët në mënyrë të jashtëligjshme me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Sipas vendimit të Apelit, ankesë ndaj vendimit të Themelores kishte paraqitur Prokuroria Speciale, duke kërkuar dënim më të ashpër për armëmbajtje pa leje ndaj të akuzuarve, ndërkaq rigjykim për pjesën lirues të vendimit.

Ankesë kishte paraqitur edhe mbrojtësi i Rugovës, avokati Nexhat Shabani dhe atë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, duke i propozuar Apelit që ndaj të akuzuarit të shpallet aktgjykim lirues.

Gjithashtu, ankesë ka paraqitur edhe mbrojtësi i Beqirit, avokati Besnik Berisha, duke kërkuar që i njëjti të lirohet apo t’i shqiptohet dënim më i butë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, apo rasti të kthehet në rigjykim për këtë pikë.

Po ashtu, mbrojtësit e Izet Beqirit dhe Astrit Haraqijës, avokatët Besnik Berisha dhe Korab Bokshi, kishin paraqitur përgjigje në ankesën e Prokurorisë, duke kërkuar që të mbrojturit e tyre të lirohen nga akuza për armëmbajtje, kurse të vërtetohet pjesa liruese.

Prokuroria e Apeli me parashtresë ka propozuar që të aprovohet ankesa e Prokurorisë Speciale, ndërkaq të refuzohen si të pabazuara ankesat e avokatit Berisha dhe Shabani.

Gjetjet e Gjykatës së Apelit:

Sipas Apelit, Prokuroria me rastin e paraqitjes së ankesës nuk ka specifikuar dispozitën konkrete që shkalla e parë e ka shkelur, por vetëm ka potencuar se Themelorja ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Apeli ka ardhë në përfundimet se nuk është cenuar ndonjë nga dispozitat që përcaktojnë se kur aktgjykimi merret në shkelje të Ligjit Penal përkitazi me veprën penale të “Krimit të organizuar”.

Shkalla e dytë është pajtuar edhe me konstatimin tjetër të shkallës së parë lidhur me gjetet për veprën penale “Kontrabanim me migrantë”, pasi që edhe pse të akuzuarit njiheshin mes vete, nuk plotësohet figura e veprës penale edhe pse gjithashtu në rastin konkret janë aplikuar masat e përgjimit dhe vëzhgimit, nuk ka rezultuar se të njëjtit kanë zhvilluar aktivitet me qëllim kriminal.

Apeli ka gjetur as asnjëri nga dëshmitarët nuk ka pohuar se u janë kërkuar mjete monetare për t’u pajisur me viza, e që është një ndër elemente e veprës penale, pasi që në mungesë të vërtetimit për përfitimin pasuror, nuk rezulton të plotësohet edhe vepra penale te të akuzuarit.

Nga xhirollogaritë e dorëzuara si provë, sipas Apelit, nuk rezulton ndonjë transaksion i paligjshëm apo dyshimtë, që të akuzuarit kanë pranuar para nga ndonjë dëshmitar për të vërtetuar përfitimin pasuror që kërkohet për të konsumuar veprën penale me çka akuzoheshin.

Tutje, Gjykata e Apelit vëren se në akuzë, Prokuroria nuk kishte përshkruar konkretisht në mënyrë të veçantë veprimet që pretendonte se janë ndërmarrë nga të akuzuarit, madje në disa rrethana, sipas kësaj Gjykate, duket sikur Prokuroria vetë kishte mëdyshje për mënyrën e veprimit të të akuzuarve.

Nga provat që janë vlerësuar dhe arsyetuar nga gjykata e shkallës së parë, Gjykata e Apelit vlerëson se për veprën penale të “Pjesëmarrjes apo organizimit të grupit kriminal të organizuar”, nuk rezulton që provohen dy nga elementet e veprës që e përbëjnë figurën e saj: 1. Organizimi i grupit të organizuar kriminal, 2. Përfitimi pasuror apo dobia tjetër pasurore.

Për veprën tjetër penale të “Kontrabandimit me migrantë”, sipas Apelit, Prokuroria nuk ka vërtetuar faktet e veprës penale që përcaktohen me Kod dhe atë: kontrabandimin e migrantëve, dokumentet e rrejshme të udhëtimit apo identifikimit dhe qëllimi i përfitimit pasuror.

Ndërkaq, për pjesën e vendimit lidhur me dënimin e të akuzuarve për armëmbajtje pa leje, Apeli gjithashtu pajtohet me gjetet e Themelores, duke theksuar se vendimi nuk është i përfshirë në shkelje esenciale.

Në rastin “Ukë Rugova 1”, të akuzuar janë: Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Qefser Baholli Floriaj Petani dhe Izet Beqiri. E në rastin “Ukë Rugova 2”, të akuzuar janë: Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voça, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit duke vepruar si grup kriminal, për qëllime të përfitimit material, i kanë pajisur qytetarët në mënyrë të jashtëligjshme me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktgjykime lirues për të dyja rastet “Ukë Rugova 1” dhe “Ukë Rugova 2”. Vendimi i Themelores për rastin “Ukë Rugova 1” është marrë më 30 mars 2023, ndërkaq për “Ukë Rugova 2” më 29 tetor 2024.

Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar te vendorët.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj 2016, e ngarkonte Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014, ka menaxhuar një grup kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit. Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkonte Rugovën edhe për veprën penale posedim i paautorizuar i armëve, ku në rezidencën e tij i ishin gjetur një pistoletë dhe dy karikatorë.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë, Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Në këtë rast, Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Florjan Petanit, Qefser Bahollit dhe Izet Beqirit u gjykuan ndaras, pas veçimit të procedurës ndaj tyre, pasi sipas ish-gjykatëses së rastit Naime Krasniqi-Jashanica, me këtë formë gjykimi do të ishte më efikas. Pra, rasti ishte ndarë në dy pjesë, ku pesë të akuzuarit e lartpërmendur u gjykuan veçmas nga 15 të akuzuarit tjerë.

Prokuroria pretendonte se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Të ngjashme

Të fundit