6.2 C
New York
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

Apeli liron nga akuza për privim të kundërligjshëm të lirisë dy ish-drejtorët e IPK-së

- Advertisement -

Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke liruar nga akuza ish-drejtorin e Departamentit për Hetime në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), Jetullah Aliu dhe ish-drejtoreshën për Hetime Speciale në këtë institucion, Valbona Osmani, të akuzuar për privim të kundërligjshëm nga liria.

Aktgjykimi i Apelit është marrë më 25 maj 2023, nga kolegji i gjyqtarëve me përbërje nga kryetari i kolegjit Ferit Osmani dhe anëtarë gjyqtarët Kadrije Goga-Lubishtani dhe Skender Çoçaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 korrik 2022, e kishte liruar nga akuza ish-kryeshefin e IPK-së, Fitim Shishani, ndërsa me nga 1 vit e 5 muaj burgim me kusht, i kishte dënuar të akuzuarit Aliu dhe Osmani.

Ndaj këtij aktgjykimi, ankesë kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbrojtësit e të akuzuarit Aliu, avokatët Skender Musa dhe Faton Hyseni dhe mbrojtësi i të akuzuarës Osmani, avokati Florin Vërtopi.

Prokuroria kishte ushtruar ankesë për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi sanksionin penal, kurse mbrojtja për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit lidhur me sanksionin penal, me propozim që të mbrojturit e tyre të shpallen të pafajshëm ose lënda të kthehet në rigjykim.

Apeli refuzoi si të pabazuar ankesën e Prokurorisë, ndërsa vendosi t’i aprovojë ato të mbrojtësve të dy të akuzuarve, ndërsa ndryshoi aktgjykimin e Themelores, duke liruar nga akuza Aliun dhe Osmanin.

Në arsyetimin e vendimit, thuhet se Apeli konstatoi se aktgjykimi i ankimuar duhet të ndryshohet përkitazi me të pandehurit Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani dhe të akuzuarit të lirohen nga akuza, kurse ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, refuzohet si e pabazuar.

Sipas Apelit, me aktgjykimin e ankimuar përkitazi me të pandehurit Aliu dhe Osmani, si rezultat i vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike është shkelur Ligji Penal sipas nenit 385, par.1, nënpar.1.3 të KPP-së në dëm të të pandehurve, pasi nga provat e administruara nuk është vërtetuar se kanë kryer veprën penale “Privim i kundërligjshëm i lirisë”.

“Kjo për faktin se nga gjitha provat dhe dëshmitë të paraqitura gjatë zhvillimit të procedurës në këtë çështje penale, nuk është vërtetuar se të pandehurit Fitim Shishani, Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani ta kenë burgosur, mbajtur të mbyllur apo në çfarëdo mënyrë tjetër ta kenë privuar nga liria të dëmtuarin-dëshmitarin Q.V, ashtu siç pretendohet në aktakuzë dhe në aktgjykimin e ankimuar”, thuhet në vendim.

Tutje, Apeli thekson se i dëmtuari nuk ishte privuar kundërligjshëm nga liria, ngase ishte marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit dhe se kjo dëshmohet edhe me procesverbalet e Stacionit Policor në Ferizaj.

“Për të vërtetuar nëse veprimet e të pandehurve përbëjnë vepër penale, kolegji me shumë kujdes trajtoi deklaratën e të dëmtuarit si dhe deklaratat e dëshmitarëve dhe nga këto deklarime nuk kanë rezultuar së provuari se të pandehurit Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani (përshirë këtu edhe të pandehurin Fitim Shishani i cili është liruar nga akuza) ditën kritike kanë kryer veprën penale që iu vihet në barrë”, thuhet në vendimin e Apelit.

Andaj, bazuar në këto prova, Apeli gjen se nuk rezulton që të pandehurit e kanë burgosur të dëmtuarin, mbajtur të mbyllur apo në ndonjë mënyrë tjetër e kanë privuar nga liria dhe se pa ekzistimin e këtyre elementeve në asnjë mënyrë nuk mund të vërtetohet se të pandehurit kanë kryer veprën penale që iu vihej në barrë.

Sipas aktakuzës së ndryshuar në qershor të 2019-ës, Fitim Shishani, Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani, akuzoheshin se më 19 korrik 2013, nga ora 14:00 e deri më 20 korrik 2013, në orën 02:50, fillimisht në Ferizaj e pastaj në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtarë pranë Inspektoratit Policor të Kosovës, me dashje, në marrëveshje dhe konsultim mes vete, duke keqpërdorur detyrën dhe shkelur autorizimet zyrtare, kanë privuar kundërligjshëm nga liria të dëmtuarin Q.V, hetues policor në IPK dhe njëkohësisht e kanë privuar të njëjtin nga e drejta e kontaktit me familjen përmes telefonit.

Tutje, thuhet se në ditën kritike në ora 14:00, i akuzuari Aliu, së bashku me të akuzuarën Osmani, kanë shkuar në oborrin e një moteli, ku kanë hasur me të dëmtuarin Q.V, ku i akuzuari Aliu pa asnjë urdhër paraprak i ka sekuestruar të dëmtuarit revolen zyrtare, distinktivin dhe telefonin mobil.

Në aktin akuzues, thuhet se pa autorizim të prokurorit dhe në konsultim me të akuzuarin Shishani, të akuzuarit Aliu dhe Osmani e kanë shoqëruar të dëmtuarin për intervistë si i dyshuar në stacionin policor në Ferizaj, duke e mbikëqyrur të njëjtin pa asnjë liri të lëvizjes së lirë.

Me ç’rast, thuhet se i dëmtuari Q.V është marrë në pyetje si i dyshuar nga një hetues policor, nga ora 16:00 deri në ora 17:00 përkundër autorizimit të prokurorit kujdestar i Prokurorisë Themelore në Ferizaj për të liruar të dëmtuarin.

Gjithmonë sipas aktakuzës, e akuzuara Osmani në konsultim me të akuzuarit Aliu dhe Shishani së bashku me dëshmitarin Burim Raqi, e kanë shoqëruar të dëmtuarin në zyrat e IPK në Hajvali, ku gjendej edhe i akuzuari Shishani, ku i dëmtuari Q.V pa pëlqimin e tij është mbajtur në një sallë të IPK, duke qenë vazhdimisht nën mbikëqyrjen e  të akuzuarve Aliu dhe Osmani.

Tutje, thuhet se nuk është lejuar që i dëmtuari Q.V të largohet nga salla dhe nga ndërtesa e IPK-së, deri në ora 23:50, pas tetë orësh ndalimi, i njëjti është marrë nga hetuesit e DHTQNJ Prishtinë, të cilët janë konsultuar paraprakisht dhe në vazhdimësi me të akuzuarit Aliu dhe Osmani.

Me ç’rast, i dëmtuari thuhet se është intervistuar sërish nga hetuesi policor Besnik Haziraj në zyrat e kësaj drejtorie dhe në konsultim me të akuzuarën Osmani është liruar.

Për këto veprime, tre të akuzuarit akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë”, nga neni 196, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit