Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Themelores për vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj ndaj Dushan Maksimoviqit, Vladimir Toliqit dhe Blagoje Spasojeviqit, tre serbët e arrestuar për sulmin terrorist në Banjskë.
Sipas arsyetimit të gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë e ka arsyetuar drejtë se janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e masës së paraburgimit.
Ata u arrestuan si të dyshuar për sulmin terrorist ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe u plagos një polic tjetër, më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.
Të njëjtit dyshohen për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës si dhe për vepra terroriste.