Ushtria amerikane do të dërgojë rreth 2.500 pjesëtarë të Marinës dhe të paktën një luftanije shtesë në Lindjen e Mesme, i ka thënë një burim agjencisë së lajmeve “Associated Press”.
Zyrtari amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së planeve ushtarake, tha se elemente nga Njësiti i 31-të i Ekspeditës dhe anija sulmuese amfibe “USS Tripoli” janë urdhëruar për t’u dislokuar në Lindjen e Mesme.
Kjo lëvizje shënon shtim të rëndësishëm të trupave në rajonin e përfshirë nga luftimet.
Njësitet e Ekspeditës të forcave detare amerikane nuk janë të trajnuara dhe të pajisuara vetëm për të kryer mbërritje amfibe në terren tokësor, por janë gjithashtu të specializuara për forcimin e sigurisë në ambasada, evakuimin e civilëve dhe mbështetjen në raste katastrofash.
Njësiti i 31-të i Ekspeditës, anija “USS Tripoli” si dhe anije të tjera sulmuese amfibe që i transportojnë forcat detare, janë të stacionuara në Japoni dhe kanë qenë në ujërat e Oqeanit Paqësor ditëve të fundit, sipas fotografive të publikuara nga ushtria.
Vendndodhja e tyre nënkupton se do t’u nevojitet më shumë se një javë për të arritur në ujërat afër Iranit.






