Associated Press ka raportuar për rritje të tensioneve në Serbi këtë të shtune para protestës në mbështetje të presidentit , Aleksandar Vuçiq, i cili u zotua ta rimarrë kontrollin pas muajve të tërë të protestave masive kundër korrupsionit që kanë tronditur kontrollin e tij të fortë mbi pushtetin.
Vuçiq, shkruan AP, po përpiqet të shuajë një lëvizje mbarëkombëtare të udhëhequr nga studentët universitarë, të cilët kërkojnë drejtësi për viktimat e shembjes së mbulesës së një stacioni treni në nëntor, ngjarje që la 16 të vdekur dhe për të cilën shumëkush fajëson korrupsionin e përhapur në institucionet shtetërore.
Studentët serbë u raportua se bllokuan mëngjesin e sotëm kryqëzimin para hyrjes në Novi Pazar për të penguar autobusët e SNS të nisen drejt Beogradit për tubimin “Nuk e japim Serbinë”, por policia ndërhyri ashpër, duke i shtyrë dhe shkelur.
Mediat proqeveritare në Serbi ana tjetër kanë filluar të promovojnë pjesëmarrjen e madhe të qytetarëve nga e gjithë Serbia në tubimin e sotëm “Nuk e japim Serbinë”, i cili pritet të mbahet në orën 19:00 në Beograd. Në këtë ngjarje do të mbajë fjalim edhe presidenti Aleksandar Vuçiq.