13.3 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

AP: Prokuroria Speciale nis hetimin për faljen ilegale të borxheve për ambalazhuesit e ujit

- Advertisement -

Prokuroria Speciale e Kosovës ka filluar të hetojë rastin për faljen e borxheve të kompanive që merren me ambalazhin e ujit (prodhuesit e ujit dhe pijeve), pas raportimeve të Albanian Post, ku dëshmohej se në forma jo ligjore dhe me metodat të shpikura Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e udhëhequr nga Liburn Aliu ua ka shlyer borxhet milionëshe dhjetëra kompanive.

Sipas përllogaritjeve të para, nga dokumentacioni i siguruar nga Albanian Post, del se bëhet fjalë për rreth 90 milionë euro.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, ka treguar për Albanian Post se ky rast tashmë është në trajtim nga Prokuroria Speciale.

“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur, ju informoj se gjendet në trajtim në Prokurorinë Speciale”, ka shkruar ajo përmes e-mail-it.

Kozmaqi ka shtuar se “për shkak të ndjeshmërisë së rastit, në këtë fazë nuk mund të japim informacione tjera”.

Përveç Prokurorisë Speciale, për këtë rast është angazhuar edhe Kuvendi i Kosovës ku është propozuar të themelohet një komision parlamentar për ta hetuar këtë çështje dhe të enjten pritet të votohet përbërja e komisionit në Kuvend.

Çfarë ka ndodhur saktësisht?

Në një procedurë të sofistikuar mashtrimi, Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, bashkë me Naser Hafizin zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, i kanë shkaktuar Kosovës dhjetëra miliona euro dëme duke ua shlyer borxhin në forma të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë.

Vetëm në pjesën e dosjes që e ka zbërthyer Albanian Post, në rastin e vetëm 5 kompanive të ambalazhuesve të ujit (nga 27 sa janë në total) bëhet fjalë për zhvatjen dhe keqpërdorimin e 11 milionë e 152 mijë e 144 eurove të shtetit të Kosovës.

Gjithë këtë borxh, Aliu, përmes vartësit të tij Hafizit, të cilin po sa ishte bërë ministër e kishte kaluar kundërligjshëm nga pozita e Zyrtarit për Financa në atë të Zëvendësuesit të Udhëheqësit të Divizionit për Pagesa dhe Projekte e përfundimisht si Ushtrues Detyre i Drejtorit të Autoritetit Rajonal i Pellgjeve Lumore, ua ka shlyer këtyre kompanive me vetëm disa mijëra euro pagesa.

Albanian Post posedon dokumentet për të gjitha mashtrimet e Aliut dhe Hafizit.

Si ndodhi vjedhja?

Aliu bashkë me Hafizin formojnë me datën 1 mars 2022 një Grup Punues ministror që do të përllogariste borxhet e të gjitha kompanive të ambalazhuesve dhe pasi të caktoheshin shumat e plota të borxhit, sipas ligjit dhe Udhëzimit Administrativ 06/2021 për Strukturën e Pagesave të Ujit, të bëheshin pagesat.

Sipas nenit 8 të këtij Udhëzimi Administrativ, kompanitë janë të detyruara të kenë të vendosura ujëmatës dhe “janë të obliguar që të mbajnë evidencë për sasinë e ujit të shfrytëzuar” dhe “sasinë e ujit të shkarkuar”.

Përmes këtyre evidencave ata më pastaj raportojnë në ministri dhe bëjnë pagesat për litër për sekondë, varësisht se si u është vendosur me lejen e fituar.

Nëse nuk e bëjnë, atëherë vetë ministria, e rregullon këtë pjesë, sipas nenit 9 të Udhëzimit Administrativ.

“Nëse detyruesi nuk mban evidencë dhe nuk e bënë raportimin, ose bënë raportimin me dhëna të dyshimta dhe të pasakta, deri me 15 janar për vitin paraprak, Ministria në afat prej tridhjetë (30) ditësh i lëshon vendimin dhe faturën duke llogaritur në bazë të të dhënave nga dokumentacioni teknikoinvestiv për sasinë maksimale” të shfrytëzimit.

Aliu dhe Hafizi në vend se të respektojnë ligjin dhe meqë kompanitë kishin dështuar të raportonin për më shumë se një dekadë, t’ia dërgonin faturën me detyrimin për shlyerjen e borxhit, siç e thotë udhëzimi administrativ, ata vendosin të nxjerrin një dokument të kundërligjshëm dhe vetëm t’i njoftojnë këto kompani për “detyrimin financiar” që e kanë.

Njoftimet iu shkojnë kompanive jo me tarifë për shlyerje borxhi, por vetëm njoftim në mënyrë të kundërligjshme për borxhin.

Asnjë ligj e as udhëzim administrativ nuk njeh njoftime të tilla për “vendime pereliminare”.

Siç kuptohet më vonë, kjo ishte vetëm një metodë e Aliut dhe Hafizit për t’u futur në pazare me kompanitë.

Për gjithë këtë parregullsi ishte njoftuar me 12 dhjetor të vitit 2022 Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Zotëri Kryeministër, duke ju kërkuar shumë falje në një situatë ku Kosova po ballafaqohet me agresorin serb, detyrohem të ju shkruaj për një çështje e cila vërtet kërkon Vëmendjen Tuaj” i ishte thënë Kurtit në e-mailin që e ka siguruar Albanian Post, nga një sinjalizues që e kishte kuptuar çfarë po bënin Aliu dhe Hafizi.

Më pas i ishte shpjeguar çështja në detaje dhe vjedhjet që po ndodhnin në ministri.

Kurti nuk ishte përgjigjur fare dhe s’kishte vendosur të merrej me këtë punë, përkundër njoftimit.

Madje, sinjalizuesit që e kishte njoftuar Kurtin i kishte dalë problem në vendin e punës dhe vetëm dy ditë pasi kishte dërguar mesazhin te kryeministri, ishte dërguar në një komision disiplinor për t’ia ndërruar pozitën.

Albanian Post ka kontaktuar me Hafizin, por ai ka refuzuar të përgjigjet.

Njëherë ka deklaruar se nuk mund të flas pasi “aktualisht jam jashtë Kosovës”.

Më pas ka kërkuar që “mos të botohet asgjë pa përgjigjet zyrtare që do t’i dërgojmë përmes pyetjeve të juaja”.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit