6.7 C
New York
Friday, November 15, 2024

Buy now

AP: Donika Gërvalla i ka kërkuar Gjermanisë ta largojë ambasadorin Jorn Rohde nga Kosova, “po përzihet shumë”

- Advertisement -

Zëvendës-kryeministrja e Kosovës dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka kërkuar nga Gjermania që ta largojë nga Kosova ambasadorin aktual të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka kuptuar Albanian Post nga burimet.

Një burim brenda MPJ-së së Kosovës dhe një tjetër brenda Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, kanë bërë të ditur për Albanian Post se kërkesa e Gërvallës u bë në vizitën e fundit të saj në Berlin, ku përveç takimit me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth, pati takim edhe me Ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Boris Pistorius.

Në takimin e 31 janarit me Pistorius, para vizitës së këtij të fundit në Prishtinë, Gërvalla ka shprehur ankesat e saj për Rohde-në dhe punën e tij në Kosovë.

Të njëjtat burime kanë sqaruar se Gërvalla është ankuar që diplomati që përfaqëson Gjermaninë në Kosovë “po ndërhynë/përzihet shumë” dhe se po shkruan shumë në platformën “X”.

“Po shkruan për çështje që nuk i takojnë dhe do të duhej të largohej nga Kosova”, ka qenë kërkesa e Donika Gërvallës.

Por, Rohde nuk është i vetmi gjerman për të cilin është ankuar Gërvalla.

Duke qenë edhe vetë shtetase gjermane, ajo më shumë si qytetare e Gjermanisë e më pak si diplomate e Kosovës, ka shprehur opinionet e saj negative edhe për të dërguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Gërvalla, po ashtu ka folur për Jens Plotner, këshilltarin e Kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Për Plotner, një nga njerëzit kryesor i angazhuar në hartimin e Planit Franko-gjerman nga i cili buroi Marrëveshja Bazike e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë, Gërvalla ka thënë se po përfshihet shumë në politikën e jashtëm të Gjermanisë për Kosovën dhe e ka amortizuar krejtësisht MPJ-në e Gjermanisë.

Gërvalla ka thënë se me homologen e saj, Annalena Baerbock, ka raporte të mira, por është ankuar se Plotner s’po i lë hapësirë ministres dhe kështu po e udhëheqë politikën e jashtme të Gjermanisë në raport me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor nga Kancelaria.

Albanian Post gjithashtu ka konfirmuar se ambasadori gjerman Rohde është në dijeni të kërkesës së Gërvallës për ta larguar.

Kjo nuk është hera e parë që Gërvalla ka kritika për diplomatët perëndimorë dhe qasjen e tyre për Kosovën.

Në disa raste i ka shprehur qëndrimet e saja edhe publikisht.

Më radikale se çdo herë tjetër ishte në një intervistë për gazetën austriake Der Standard me 21 qershor të vitit të kaluar.

E pyetur për qëndrimet e ndërkombëtarëve atëherë, pas zgjedhjeve të mbajtura në komunat veriore ku serbët bojkotuan votimin, Gërvalla kishte shpërthyer.

Amerikanët dhe evropianët kërkonin në atë kohë që kryetarët shqiptarë të zgjedhur me votë minimale të punonin jashtë objekteve komunale, si kompromis ky për mungesën e tyre të legjitimitetit.

“Kosova nuk mund të bëjë vetëvrasje politike as për miqtë e saj më të ngushtë”, pati thënë Gërvalla atëbotë.

“Ne si Perëndimi në tërësi nuk duhet të lejojmë që disa diplomatë problematikë ta fusin rajonin në luftë në një aleancë jo të shenjtë me përfaqësuesin e Putinit, Vuçiç-in”, deklaronte Gërvalla.

“Në çdo rast ne do ta mbrojmë vendin tonë sepse mbrojmë shtetin ligjor dhe demokracinë. Vuçiç-in nuk e ndalon dot as me para, as me qetësim, vetëm me një qëndrim kristal. BE-ja nuk e ka këtë, sepse nuk është e bashkuar”.

Ajo aty kishte pasur kritika direkte edhe për persona konkretë, siç ishte i angazhuari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Përfaqësuesi i BE-së për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, shpeshherë përfaqëson qëndrimin e Vuçiç-it. Kjo nuk është vetëm vdekjeprurëse për ndërmjetësimin; e inkurajon Vuçiqin të përshkallëzohet”, deklaronte Gërvalla, qëndrime këto të njëjta që do të dëgjoheshin më vonë edhe nga vetë kryeministri i Kosvoës, Albin Kurti.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit