3.8 C
New York
Thursday, November 20, 2025

Buy now

Anulohet seanca për spiunazh, i akuzuari Shabani në ekzaminim psikiatrik

- Advertisement -

Seanca e paraparë gjyqësore ndaj të akuzuarve për spiunazh, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, nuk është mbajtur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Gjykata njoftoi se shqyrtimi është anuluar pasi trupi gjykues ka urdhëruar zhvillimin e një ekzaminimi psikiatrik për të pandehurin Shabani, me kërkesë të mbrojtjes së tij.

Sipas komunikatës, ky vlerësim profesional nuk mund të përfundohet brenda një periudhe të shkurtër, prandaj është marrë vendimi për anulimin e seancës.

Gjykata ka bërë të ditur gjithashtu se palët do të njoftohen me kohë për caktimin e datës së re të procesit.

Në aktvendimin e 30 prillit, gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë dyshime të arsyeshme se Shabani dhe Qerimi kanë kryer veprën penale të spiunazhit në shërbim të Agjencisë Serbe të Inteligjencës (BIA). Të dy ata i kanë mohuar akuzat gjatë seancës fillestare.

Prokuroria Speciale i ngarkon të akuzuarit se kanë mbledhur informacione për BIA-n, me qëllim që Serbia të krijonte një narrativë të rreme për gjoja rrjet të trafikimit të organeve të kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë luftës. Sipas aktakuzës, Qerimi i ka dërguar zyrtarit të BIA-s Sërgjan Rosiq dokumente të klasifikuara lidhur me punën e Prokurorisë Speciale, ndërsa Shabani dyshohet se ka pasur kontakte jo vetëm me Rosiqin, por edhe me Bogolub Janiçeviqin, i lidhur me masakrën e Reçakut.

Prokuroria thotë se komunikimi i tyre me zyrtarët serbë është realizuar përmes telefonit, emailit dhe takimeve fizike në territorin e Serbisë. /teve1.info/

Të ngjashme

Të fundit