Është anuluar Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që planifikohej të mbahej në datë 4 dhe 5 dhjetor në Bosnjë dhe Hercegovinë. Kjo ka ndodhur pasi, ministrat nga ‘Republika Srpska’ kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në këtë samit.
Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, tha për Telegrafin se samiti tashmë është anuluar.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës udhëton sot nga Brukseli për në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës. Ky udhëtim i kryeministrit në Bosnje dhe Hercegovinë ishte paraparë të ndodhte në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që planifikohej të mbahej në datë 4 dhe 5 dhjetor në Neum. Për shkak disa problemeve të cilat tashmë i ka bërë të njohura organizatori, ky samiti është anuluar”, u shpreh ai.
Përkundër zhvillimeve atje, Kryeziu njoftoi se Kurti do të bëjë disa takime në Sarajevë.
“Megjithëkëtë, kryeministri do të realizojë një vizitë të shkurtër në Sarajevë, ku do të ketë takime me përfaqësues të institucioneve dhe përfaqësues politik, si dhe do të marrë pjesë në një organizim të organizatës joqeveritare Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”, shtoi ai.
Ndryshe, nënkryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Stasha Kosharac, tha se ministrat nga ‘Republika Srpska’ nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme të Këshillit të Ministrave, për shkak të mbërritjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Sarajevë.
Ndryshe Kurti po viziton BeH-në me ftesë të Adil Kulenoviqit, kryetar i organizatës joqeveritare Shoqata e Intelektualëve të Pavarur “Krug 99”.