Policia ka njoftuar se sot njësitet e antidrogës kanë realizuar planin taktik të koduar “Qafa 2”, me ç’rast ka realizuar bastisje në fshatin Sllakoc të Epërm të komunës në Gjilan, ku ka arrestuar dy persona të dyshuar, me shtetësi sllovene, të cilët ishin në cilësinë e personave ekspertë, duke përpunuar substanca kimike dhe një person i tretë, pronari i shtëpisë.
“Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë e Policisë së Kosovës, njësia në Ferizaj, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore për Krime të Rënda në Ferizaj, për disa javë ka zhvilluar hetime në drejtim të veprës penale ‘prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike’. Sot, me datën 19.12.2024, njësitet e antidrogës kanë realizuar planin taktik të koduar “QAFA 2”, me ç‘rast është realizuar bastisje/kontroll në fshatin Sllakovc i epërm Komuna e Gjilanit, ku gjatë aksionit policor në vendin e ngjarjes janë arrestuar 2 persona të dyshuar shtetas sllovakë me iniciale (N.H. dhe L.A.), të cilët ishin në cilësi të personave ekspertë, duke përpunuar substancat kimike narkotike dhe personi i tretë pronari i shtëpisë me iniciale (S. I.) shtetas kosovar.
Të dyshuarit në dy dhoma kanë improvizuar një laborator klandestin me pajisje për përpunim të substancave kimike, duke vendosur aparaturë dhe preparate të nevojshme kimike dhe ishin në proces të përpunimit të prodhimit të drogës sintetike, e dyshuar e llojit Methaphetamine.
“Të dyshuarit brenda shtëpisë në dy lokacione (dhoma) kanë improvizuar një laborator klandestin me pajisje për përpunim të substancave kimike, duke vendosur aparaturë dhe preparate të nevojshme kimike dhe ishin në proces të përpunimit të prodhimit të drogës sintetike, e dyshuar e llojit Methaphetamine.”
Në vendin e ngjarjes është vërejtur substancë e lëngët prekusor.
“Në vendngjarje vërehet substancë e lëngët prekusor (acid), sasia mbetet të konfirmohet, një pjesë e përpunuar në formë të ngurtë dhe një pjesë rreth 10 litra në proces ende e lëngët. Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet relevante policore: Forenzika qendrore dhe e (DrP) Ferizajt, ekspertë të laboratorit të Forenzikës dhe Njësia e Trajtimit të Mjeteve Eksplozive. Prokurori i rastit dhe kryeprokurori nga Ferizaj janë paraqitur po ashtu në vendin e ngjarjes.”
Po ashtu janë kryer bastisje edhe në katër lokacione.
“Pas këtyre veprime janë kryer bastisje edhe në 4 lokacione, përfshirë: një dhomë hoteli, një banesë dhe një shtëpi banimi në fshatin Prelez në Ferizaj, por nuk është gjetur diçka e dyshuar.”
Ata janë ndaluar për 48 orë.
“Droga, pajisjet e laboratorit, mjetet ndihmëse dhe një veturë e llojit Shkoda janë sekuestruar si prova materiale, kurse rasti vazhdon të hetohet dhe të gjitha veprimet tjera do të ndërmerren në bashkërendim me organet e drejtësisë.”