Ansu Fati nuk e sheh veten në asnjë fanellë tjetër përpos Barcelonës.
Sulmuesi spanjoll ka thënë se dëshiron të qëndrojë gjithmonë në “Camp Nou”.
Talenti i Barçës ka mbetur paksa prapa shkaku i lëndimeve, por është i gatshëm ta ndihmojë ekipin e tij nga sezoni 2022/23.
Për të, interesim ka shfaqur Paris Saint-Germaini, por në mendjen e tij qëndron vetëm klubi i zemrës.
“Nuk më interesojnë ofertat që arrijnë. Që nga momenti i parë i kam thënë menaxherit tim dhe prindërve se dua të qëndroj në Barcelonë për tërë jetën. Qëllimet e mia janë të qarta, shpresoj që ta kaloj krejt karrierën këtu”, deklaroi fillimisht Fati në një intervistë për “Canal +”,
Ai shpreson që në të ardhmen ta lënë rehat lëndimet.
“Lëndimet janë gjëja më e keqe për një lojtar, por durimi është esencial. Gjithçka është një eksperiencë. Por, ka gjëra edhe më të rënda, për shembull ta kesh babanë e sëmurë, të kesh shëndet të dobët… Problemet e mia mund të shërohen. Këtë e kisha përjetguar kur isha 13 vjeç, kur e kisha një lëndim të rëndë. Mendoja se nuk do të mundë të luaja më kurrë, por gjithçka shkon mirë”, vazhdoi ai.
Në fund, Fati foli edhe për zgjedhjen e tij për ta marrë numrin 10, të cilin deri një vit më parë e mbante i madhi Lionel Messi.
“Kur ka shkuar Messi, numri 17 ishte rezervuar për mua. Por, klubi më ka thirr dhe ma ka propozuar këtë ndryshim. Kapitenët e kanë pranuar dhe për mua ishte një nder. Nëse je pjesë e Barçës duhet të jesh gati për gjithçka”, përfundoi Fati.