Marrëveshja për të pagjeturit u konsiderua si një e arritur e madhe në dialog me Serbinë.
Madje, kjo ujdi u vlerësua edhe nga ndërmjetësuesit e dialogut, të cilët gjithashtu kanë bërë thirrje që kjo çështje të trajtohet me prioritet nga palët.
Mirëpo pavarësisht marrëveshjeve dhe deklaratave të përbashkëta, shumë pak progres është bërë në këtë drejtim.
E për këtë pala kosovare po akuzon Serbinë se nuk është bashkëpunuese në këtë proces, duke refuzuar kështu t’i hap arkivat e luftës.
Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti thotë se as shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, nuk po i kthen përgjigje.
Kritik për mungesën e zbatimit të marrëveshjeve po shprehet edhe Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Sipas tij çdo vit që kalon e vështirëson edhe më shumë procesin e identifikimit të personave të pagjetur.
Në anën tjetër, aktivisti nga shoqëria civile, Marko Milosavljeviq, vlerëson se Serbia po refuzon ballafaqimin me të kaluarën.
“Në Serbi nuk është çështja vetëm për luftën me Kosovën, por kryesisht mungesa e ballafaqimit me të kaluarën. Ajo periudhë paraqitet si një luftë për atdhe, me glorifikimin e të akuzuarve dhe të dënuarve për krime lufte. Por kur flasim për personat e zhdukur janë disa gjëra që duhet të bëhen sidomos nga ana e Serbisë, pra, qeverisë në Beograd. E para është hapja e arkivave të ushtrisë, ministrisë së brendshme, dhe policisë, dhe kompanive tjera publike që kanë qenë pjesëmarrëse në operacionet sekrete të varrimit së të vdekurve nga krimet e luftës, sidomos në Kosovë, e ky proces është bllokuar nga disa ministri, sidomos ministria e brendshme dhe ministria e mbrojtjes. Problemi është që këto probleme nuk janë zgjidhur akoma, përkundër dialogut në Bruksel, dhe përkundër faktit që njëra nga pjesët e aneksit të Ohrit është një lloj deklarate ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.
Kanë kaluar mbi dy dekada që nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe akoma vazhdojnë të mungojnë mbi 1600 persona të zhdukur me dhunë.