Për vite të tëra, palët që parashtrojnë padi në Gjykatën Komerciale po u duhet të presin deri në trajtimin e lëndëve të tyre.
Në këtë gjykatë që ka nisur së funksionuari në vitin 2022, e që kryesisht ankohen bizneset, sipas avokatëve nuk është arritur qëllimi që rastet të përfundojnë brenda një afati të arsyeshëm.
“Qe tre vite dmth kam padi të parashtruara pranë gjykatës Komerciale edhe deri më sot nuk është thirr asnjë seancë e shqyrtimit meritor prej vitit 2023, mund të ketë seanca për masa të përkohshme e të ngjashme mirëpo në shqyrtim meritor nuk kemi të thirrur asnjë seance dhe paramendo bizneset presin për një lëndë më shumë se tre vite”, ka thënë Qendrim Arifi – Avokat.
Arifi tregon për dëmin që u shkaktohen bizneseve nga kjo vonesë.
“Dëmi që u ka shkaktuar nuk mund të arrihet në kohë, duke mos u arritur në kohë pavarësisht se cdo vonesë ka kamatat e caktuara ligjore, sidoqoftë për bizneset është fatale sepse mund të vijë periudha kur gjykata vendos në mënyrë meritore biznesi mund të ketë falimentuar”, ka thënë Qendrim Arifi, avokat.
Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, kjo zvarritje është shqetësuese sepse po ndikon edhe në largimin e investitorëve të huaj në Kosovë.
“Kjo shkakton pasigurinë e madhe që një biznes në rritje të investimeve të tij, qoftë në zgjidhje të rasteve të ndryshme, e në ardhje të një biznesi të jashtëm, pra institucionet në përgjithësi ato që merren me buxhetimin e tyre, spo dojn me kuptu rëndësinë e që e ka zgjerimi edhe marrja e shpejtë e masave në zgjidhjen e rasteve gjyqësore tek bizneset. Dhe kjo ka rëndësi edhe në zhvillimin ekonomik të vendit dhe ardhjen e investimeve”, ka thënë Kushtrim Ahmeti, drejtor Ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.
Por, në Gjykatën Komerciale arsyetohen me numrin e madh të lëndëve që kjo gjykatë është ballafaquar që nga fillimi, me 10 mijë lëndë të natyrës ekonomike, fiskale, administrative, përmbarimore dhe pronësore.
Në përgjigjen e tyre, thuhet se kanë pasur mungesë të stafit gjyqësor, por që ky problem pritet të tejkalohet me funksionalizimin e Gjykatës Administrative.
“Gjykata po ashtu ka pasur mungesë të gjyqtarëve dhe stafit mbështetës, ku secili gjyqtar ka qenë i ngarkuar me mbi 1.200 lëndë, në fund të vitit 2025. Me funksionalizimin e plotë të Gjykatës Administrative, parashikohet që rreth 4.200 lëndë të Departamentit Fiskal dhe Departamentit për Çështje Administrative, të transferohen në gjykatën e re, duke ulur ndjeshëm ngarkesën aktuale. Po ashtu nga fillimi i këtij viti, në Gjykatën Komerciale, janë transferuar edhe tre (3) gjyqtarë të rinj, ndërsa një (1) gjyqtar tjetër pritet të fillojë detyrën në muajin prill të këtij viti. Pas funksionalizimit dhe transferimit të lëndëve me kompetencë për Gjykatën Administrative, planifikohet që të gjithë gjyqtarët e shkallës së parë, gjithsej trembëdhjetë, të trajtojnë vetëm lëndë të natyrës ekonomike. (përjashtimisht një gjyqtar do të ngarkohet edhe me lëndë të departamentit të përgjithshëm). Aktualisht kanë mbetur rreth 5.704 lëndë në kompetencë të Gjykatës Komerciale – Dhoma e Shkallës së Parë, të cilat do të rishpërndahen ndërmjet trembëdhjetë (13) gjyqtarëve, me ç’rast pritet rritje e efikasitetit dhe trajtim shumë më i shpejtë i të gjitha lëndëve, meqenëse numri i lëndëve me të cilat do të ngarkohet një gjyqtar pritet të jetë mbi 430 lëndë”, kanë njoftuar nga Gjykata Komerciale.
Në Gjykatën e re atë Administrative që do të nis së funksionuari në maj, pritet të barten edhe 350 lëndë në dhomat e shkallës së dytë, pra në atë të Apelit. /Dukagjini/






