19.6 C
New York
Wednesday, October 22, 2025

Buy now

Ankesa e Listës Serbe, Basha: Kushtetuesja nuk ka rast, s’besoj se do të ketë masë të përkohshme

- Advertisement -

Kryeparlamentari Dimal Basha ka thënë se nuk beson se Gjykata Kushtetetuese do të vendosë masë të përkohshme, ashtu siç ka kërkuar Lista Serbe në ankesën e dorëzuar për zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.

Sipas Bashës, Kushtetuesja nuk ka rast, por megjithatë ka thënë se do t’i dorëzojë komentet e tij.

Tha se është në përfundim të tyre.

“Unë nuk besoj do të ketë masë të përkohshme. Megjithatë unë do t’i dërgoj komentet, por mendoj që gjykata do ta injorojë komplet sepse nuk e kanë asnjë argument të vetëm”, ka deklaruar Basha në RTK.

Sipas tij, Lista Serbe nuk e ka asnjë argument të vetëm në kërkesën e saj.

“Unë nuk mendoj që Gjykata Kushtetuese ka rast. Është dëshmu me herën e fundit kur e fitoi një të drejtë kushtetuese znj.Emilija Rexhepi. Ka vendim të Kuvendit që Nenad Rashiq dhe Emilija Rexhepi janë nënkryetarë të Kuvendit”, ka thënë Basha.

Ai tha se ka qenë i detyruar me Kushtetutë që t’ia ofrojë mundësinë edhe Rashiqit.

“E drejta e ankesës ekziston, por e drejta e tyre kushtetuese nuk e ka asnjë bazë të vetme. Deputetët e Listës Serbe nuk i kanë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur nënkryetar. E kam pas të detyrueshme me Kushtetutë që t’ia ofrojë mundësinë deputetit të 10’të”, ka thënë Basha.

Emri i Rashiq u hodh në votim pasi asnjë nga kandidatët e Listës Serbe nuk arriti të marrë më shumë se nëntë vota, të pamjaftueshme për t’u zgjedhur në këtë pozitë.

Me zgjedhjen e Rashiq, Kryeparlamentari Dimal Basha e shpalli Kuvendin si të konstituuar.

Lista Serbe i ishte drejtuar edhe më parë Kushtetuetueses për këtë çështje. Për atë ankesë, Kushtetuesja kishte dalë me Aktgjykim ku e kishte lejuar votimin e ndarë për nënkryetar dhe u kishte dhënë afat deputetëve 12 ditë për ta zgjedhur nënkryetarin.

Të ngjashme

Të fundit