Kombëtarja e Anglisë ka shënuar fitoren e dytë në kuadër të kualifikuesve për Kampionatin Evropian “Euro 2024” duke mposhtur Ukrainën.
“Tre Luanët” dominuan tërë ndeshjen duke fituar me rezultat komod 2:0 në “Wembley”.
Pas vetëm nëntë minutave lojë, Harry Kane kërkoi një penallti pas një rasti të dyshimtë brenda zonës, por që arbitri nuk mendoi njëjtë.
Anglezi pastaj pranoi një asistim brilant nga Bukayo Saka për të shënuar nga afërsia dhe kaluar vendasit në epërsi (37′).
Vetëm tre minuta më vonë, Saka dyfishoi epërsinë me një gol të mrekullueshëm nga distanca duke lënë të shtangur portierin ukrainas (40′).
Pjesa e dytë ishte shumë më e qetë. Anglia vazhdoi të dominojë në posedim duke krijuar edhe disa raste, por u mungoi konkretizimi.
Ukraina në anën tjetër provonte përmes disa kundërzbritjeve mirëpo gjithashtu rezultuan të pasuksesshme.
Kështu, Anglia tani merr primatin në grupin C me gjashtë pikë të mbledhura, derisa Ukraina renditët në fund pa pikë.
Anglia në ndeshjen e radhës do të përballet me Maltën, sfidë që do të zhvillohet më 16 qershor.