Kombëtarja e Anglisë ka shënuar me përmbysje ndaj Holandës me rezultat 2:1, kështu për të kaluar në finale të Evropianit, aty ku do të takohet me Spanjën, më 14 korrik.
Në stadiumin e Borussia Dortmundit u zhvillua gjysmëfinalja e dytë e Evropianit, në një përballje ku Anglia zhvilloi një pjesë të parë fantastike, por që nuk u paraqitën më së miri në pjesën e dytë, ndonëse shënuan në minutën e fundit për golin e fitores.
Tre Luanët kishin kontrollin e topit dhe shanset më të mira gjatë pjesës së parë, ndonëse u gjenden në disavantazh fillimisht.
Holanda shënoi e para në takimin e sotëm, me Xavi Simons kur gjuajti fuqishëm nga distanca për 1:0, ku vlen të ceket se Declan Rice bëri gabim në atë rast, duke humbur topin në zonë të rrezikshme.
Anglia u kthye në lojë me anë të penalltisë. Dumfries shkaktoi penallti, të cilën gjyqtari e akordoi pas rishikimit të rastit në VAR.
Harry Kane ishte i saktë, për të barazuar rezultatin në 1:1 në minutën e 18-të.
Anglia pati raste të mira në vijim, me yllin e Manchester Cityt, Phil Foden, që tentoi në dy raste, ku njërën goditje nga vija e portës e largoi Dumfries, ndërsa në tjetrën intervenoi portieri Verbruggen.
Deri në përfundim të pjesës së parë nuk pati ndryshim në rezultat, me 45 minutat që mbyllen me rezultatin 1:1.
Në pjesën e dytë, Anglia u kthye në gjenezë, duke zhvilluar lojë krejtësisht të njëjtë si në ndeshjet e kaluara, por që kësaj radhe arritën ta fitonin ndeshjen brenda 90 minutave.
Holanda u tregua më e rrezikshme në pjesën e dytë, por që nuk konkretizuan rastet.
Në anën tjetër, Tre Luanët fillimisht shënuan me Bukayo Saka, por që goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Ndërsa heroin e bëri zëvendësuesi Ollie Watkins, që pranoi një top nga Cole Palmer, për të shënuar gol të bukur për rezultatin përfundimtar 2:1, në minutën e parë shtesë.
Anglia kështu shënon fitoren e parë në kohën e rregullt në fazën e eliminimit direkt në EURO 2024, duke shkuar në finale.
Finalja e madhe do të zhvillohet më 14 korrik me fillim nga ora 21:00, ku do të përballen Spanja me Anglinë, për kurorën e Evropës.