Rikthimin e Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit në tavolinë, ndërkombëtarët po e kërkojnë me ngulm.
Evropianët dhe amerikanët ndajnë të njëjtit mendim që palët duhet të kthehen në tavolinën e negociatave.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, këshilltari për politikë të jashtme i presidentit francez Emmanuel Bonne, këshilltari për politikë të jashtme i kancelarit gjerman Jens Plotner dhe këshilltari i Qeverisë italiane, Francesco Talo, gjatë këtij muaji pritet të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë.
Derisa kjo vizitë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, ish- ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho, thotë se pesëshja e emisarëve do të bëjnë presion për rikthimin e palëve në dialog.
“Emisarët do të vijnë sigurisht për të insistuar aty ku e kanë lënë, sepse asnjëra nga palët nuk mendon se e ka pasur gabim … Presioni do të jetë i madh e parashikoj për të bërë atë tentativën e fundit, besoj që do të kenë një reflektim nga ngjarjet e fundit sepse as njëri nuk e justifikon atë që bëri qeveria e Vuciqit për të sponsorizuar terrorizmin”, thotë Nesho.
Njohësi i procesit të dialogut Visar Xani, thotë se një vizitë e tillë eventuale do të ndikonte në ndërtimin e një strategjie për të ardhmen e dialogut.
Vizita e fundit që pesë emisarët zhvilluan në Kosovë ishte ajo e datës 20 janar të këtij viti, kur edhe mendohet se plani franko-gjerman, u bë dokument “merr ose lëre”.