Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, i cili sot ka përmendur një shkresë të Sekretariatit të KQZ-së për datën e zgjedhjeve.
Ai ka bërë me dije se KQZz-ja nuk ka diskutuar për datën e zgjedhjeve dhe as nuk e ka aprovuar shkresën e Sekretariatit që e ka përmendur sot Kurti.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se KQZ-ja nuk ka marrë asnjëherë vendim për t’i dhënë Presidentes një datë për zgjedhjet.
Postimi i plotë i Gashit:
Sqarim publik lidhur me deklaratën e kryeministrit për datën e zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit 2025:
Pas takimit të Presidentes me përfaqësues të partive politike lidhur me datën e zgjedhjeve të parakohshme, si anëtarë të KQZ-së, së bashku me kolegun Arianit Elshani, jemi takuar me Kryetarin e KQZ-së dhe i kam kërkuar që, nëse ftohet në konsultime nga Presidentja, të ketë parasysh dy çështje:
– Ne kemi obligim ligjor t’i mbajmë zgjedhjet sa herë që ato shpallen, dhe
– të mos bëhet palë në përcaktimin e datës, pasi kjo nuk është qëndrim i KQZ-së dhe do të më duhej ta demantoja publikisht.
KQZ ka qenë e gatshme për zgjedhje si më 21 ashtu edhe më 28 dhjetor. Ne, si trup, asnjëherë nuk jemi pyetur nga askush për datën e zgjedhjeve.
Kushdo që ka bërë shkresa të tilla, nuk ka pasur fare të bëjë me diskutimet e brendshme të KQZ-së.
Çfarëdo rekomandimi që është bërë, ka mundur të jetë vetëm personal, nga ndonjë individ i caktuar, dhe jo qëndrim zyrtar i KQZ-së.
Prandaj, KQZ, si trup, nuk ka diskutuar dhe nuk ka marrë asnjëherë vendim për t’i dhënë Presidentes një datë për zgjedhjet






