Trajneri Carlo Ancelotti ka konfirmuar se mesfushori Jude Bellinhgam do të jetë gati për Atalantan në mesjavë pavarësisht lëndimit që pësoi në fitoren ndaj Gironas.
“Los Blancos” ishin bindës të shtunën mbrëma, duke fituar falë golave të Bellingham, Arda Guler e Kylian Mbappe.
Sidoqoftë, kishte frikë te madrilenët shkaku që Bellingham u zëvendësua me Dani Ceballos pas një ore lojë, ku në kamera u pa disa herë që kishte dhimbje sa ishte në stol.
Megjithatë, Ancelotti ka konfirmuar se anglezi do të jetë gati dhe vetëm Ferland Mendy do të mungojë ndaj skuadrës italiane.
“Bellingham shënoi golin e pestë radhazi dhe është në formë të mirë. Ai kishte dhimbje në këmbë, preferoi që të mos rrezikonte. Ai është mirë dhe i gatshëm për të martën”.
“Arda dhe Mbappe shënuan, Diaz luajti mirë. Mendy ka lëndim muskulor, të tjerët janë thjesht goditje – asgjë më shumë”.
“Zhvilluan lojë të mirë në aspektin ofensiv dhe menaxhuam ta ruajmë avantazhin. Pas golit të Bellingham, skuadra kishte më shumë ide të qarta”.
Real Madridi të martën do të ketë punë me Atalantan, ndërsa kanë nevojë vetëm për fitore ngase po rrezikojnë kualifikimin në play-off duke pasur vetëm gjashtë pikë.