Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ishte shumë i kënaqur me përfundimin e El Clasicos, teksa ‘Los Blancos’ morën një fitore me rezultat 3-2 ndaj Barcelonës, e cila i afron një hap më shumë drejt titullit.
Ajo që u vërejt në këtë ndeshje, por jo për herë të parë, ishte se adoleshenti turk Arda Guler nuk ishte pjesë e festimeve nga banka.
Sidoqoftë, Ancelotti i ka bërë atij një premtim të madh për të cilin Guler do të gëzohet tej mase.
‘Nuk e di, nuk e kam parë, nuk mund të jap një koment. Tani me qetësi do të vlerësojmë gjithçka. Guler tani do t’i ketë minutat që ai dëshiron”, ka thënë Ancelotti për Diario AS.
Guler ka luajtur vetëm 98 minuta që prej se u rikthye nga lëndimi në janar, duke bërë që nervozizmi ta kaplojë 19-vjeçarin.
Teksa kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje për t’u luajtur në La Liga, Ancelotti do të jetë në gjendje që t’i jap atij më shumë hapësira, pasi do të pushojë ekipin për sfidën ndaj Bayernit në Ligën e Kampionëve.
Real Madridit i duhen vetëm edhe shtatë pikë për të siguruar matematikisht titullin e 36-të të La Ligës në histori të klubit.
Më herët kishte pasur zëra se Gulerit i është rekomanduar që të largohet në formë huazimi në fund të sezonit, megjithëse një vendim përfundimtar nuk është marrë ende.