Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka thënë se homologu i tij, Pep Guardiola nuk ishte tërësisht i sinqertë, kur i dha ekipit të tij, Manchester Cityt vetëm 1% për kalim tutje në Ligën e Kampionëve.
Reali i Ancelottit do t’i bëj konak Manchester Cityt në “Santiago Bernabeu” ditën e nesërme, me fillim nga ora 21:00.
Mbrojtësi gjerman, Antonio Rudiger ka stërvitur normalisht me skuadrën për ditën e dytë me radhë, dhe pritet që ai ta nis ndeshjen nga fillimi, me Alaban që po ashtu është i disponueshëm për takimin e nesërm, por që nuk ka nisur ndonjë ndeshje nga fillimi që nga dhjetori i vitit 2023.
Duke marrë parasysh formën e mirë të Raul Asencios, Ancelotti u pyet në konferencën e tij për shtyp se kë do ta lë në bankën rezervë, pasi opsioni i tij më i preferuar vazhdon të jetë Aurelien Tchouameni.
“Nuk kam dyshime, ato mund t’i keni ju. Më lini mundësinë që të ju lë në dyshim deri nesër. Po bëj shaka… Rudiger mund të luajë nga fillimi, Tchouameni mund të luajë në mesfushë, dhe Asencio mund të luajë si qendërmbrojtës, po ashtu edhe si mbrojtës i djathtë, pasi Valverde ndeshjen e fundit ndaj Osasunës, u zëvendësua shkaku i një lëndimi”, tha fillimisht Ancelotti.
Valverde megjithatë pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e nesërme me Cityn, por Ancelotti ka konfirmuar se Lucas Vazquez nuk do ta nis ndeshjen dhe do të mbetet në bankën rezervë.
“Jo ende, Vazquez nuk është gati. Ai do të jetë në bankën rezervë, por ende s’e ka plotësuar planin e tij të rikuperimit”, shtoi italiani.
“Los Blancos” ishin vlerësuar për punën e tyrë defenzive në “Etihad”, dhe Ancelotti u pyet nëse kishte përjetuar të njëjtën në ndeshjet ndaj Osasunas, Aletico Madridit dhe te humbja ndaj Espanyolit.
“Kanë qenë tri ndeshje të vështira, që kërkonin shumë punë. Nuk kemi marrë rezultate të mira, por ekipi ynë po punon mirë. Kjo na jep vetbesim dhe një frymëmarrje pozitive. Na duhet të vazhdojmë të luajmë mirë, me kualitet dhe unë i përbledh më shumë sakrificat e lojtarëve dhe përkushtimin e tyre”, tha Ancelotti.
Pjesa më e madhe e konferencës për media të Ancelottit ishte duke u ankuar për referimin në Spanjë, por mediat spanjolle ia kujtuan një deklaratë të Guardiolës, i cili i kishte dhënë skuadrës së tij vetëm 1% mundësi për kalim tutje.
“Ai natyrisht se nuk e beson atë. Nesër do ta pyes para ndeshjes. Ai mendon se ka më shumë mundësi, aq sa ne mendojmë se nuk i kemi 99% mundësi. Ne mendojmë se kemi një përparësi të vogël, ta shfrytëzojmë atë dhe të luajmë njëjtë si ndeshjen e parë, e cila shkoi shumë mirë”, përfundoi Ancelotti.