E dinte se nuk do të gjente skuadrën e Pelesë.
Karlo Ançeloti është ulur në stolin e një Brazili që nuk ka aspak aureolën e dikurshme, me yje që ia kishte frikë dhe zili gjithë bota.
Pele, Garrinça, Didi, Zhairzinjo, Ziko, Sokrates, Kareka, Romario, Ronaldo, Rivaldo apo Ronaldinjo janë histori që ka mbetur 20 vjet prapa, ndërsa kombëtarja e sotme duhet të jetë e kënaqur edhe me një barazim pa gola në Ekuador.
Ndeshja eliminatore për Kupën e Botës nuk bindi aspak, madje vendasit ishin më lart sesa brazilianët, me më shumë gjuajtje dhe zotërim topi.
Selesao pati vetëm dy gjuajtje në kuadrat në 90 minuta, dhe një rast të mirë të krijuar pas pushimit nga Vinisius për Kasemiron.
Jo më kot, Brazili është në vendin e katërt në renditje, për momentin i kualifikuar për në Botëror, ndërsa në fushë ylli më i njohur ishte sulmuesi i Realit, Vinisius. Rodrigo e Rafinja ishin përkatësisht të dëmtuar dhe pezulluar.
Shumë lojtarë të zgjedhur nga Ançeloti luajnë në Brazil, disa në Europë, por pak janë në klube të mëdhenj dhe thuajse askush personalitet I madh. Anceloti e sheh gotën gjysmë plot.
“Mendoj se ndeshja ishte shumë e mirë në aspektin mbrojtës. Ekipi pati qasje të mirë në fushë, pati organizim. Hera-herës bëri presion të mirë përpara. Në prapavijë ishim mirë dhe nuk I lejuam mundësi rivalit. Kjo është gjë e mirë. Duhej të kishim qenë më mirë në lojën me top, më të rrjedhshëm. Barazimi mund të quhet I mirë, dhe kemi besim për të ardhmen”.
Brazili është në vend të katërt në renditje me 22 pikë në 15 ndeshje, ndërsa të martën vjen ndeshja me Paraguajin që është I treti.
Argjentina kryeson me 34 pikë pas fitores 1-0 në Kili.