Sot ishte një pritje e madhe në Valdebebas për konferencën për shtyp të Carlo Ancelottit.
Trajneri italian, nga 26 maji do të jetë selektor i ri i Kombëtares së Brazilit, ndërsa pa dyshim se kjo ishte tema kryesore e ditës së sotme.
“Ndjesia ime është se në moshën 66 vjeçare do të jem trajner i Brazilit. Është një sfidë e madhe, por jam ende trajner i Realit dhe dua ta mbyll mirë këtë pjesë të fundit të kësaj aventure fantastike. Duhet të mendoj për ditët që më kanë mbetur këtu, për respekt që kam për këtë skuadër dhe për tifozët e saj. Jam i përqendruar në periudhën e fundit të kësaj avanture spektakolare”, deklaroi trajneri italian.
“Jam mjaft i lumtur për përvojën e re me Brazilin, por nuk dua të flas më shumë këtu, sepse e kam fanellën e Madridit deri më 25 maj dhe kam respekt të madh për këtë klub. Dua ta respektoj deri në ditën e fundit. Doja ta fitoja kampionatin, Ligën e Kampionëve, por shkoi kështu. Sidoqoftë, jam prapë i lumtur”, shtoi ai.
“Don Carlo” i pati dy eksperienca mjaft pozitive në “Santiago Bernabeu” duke i fituar 11 trofe brenda 4 vjetësh qëndrimi në Madrid.