-11.6 C
New York
Saturday, January 24, 2026

Buy now

Analizë e Sky News: Starmer i zemëruar me Trumpin – Kjo mund të përshpejtojë një kthesë drejt Europës

- Advertisement -

Kryeministri britanik, Keir Starmer ‘’është i zemëruar’’ me presidentin amerikan Donald Trump, pas komenteve që ky i fundit i bëri lidhur me trupat e NATO-s në Afganista. Kështu ka vlerësuar Beth Rigby, redaktore politike në Sky News, përmes një analize që ajo ka shkruar.

Rigby vlerëson se komentet e Sarmer si reagim ndaj presidentit amerikan, sot përfaqësojnë një ndryshim të qartë toni, pasi ai e kritikoi fort personalisht Trump-in dhe sugjeroi që presidenti amerikan duhet të kërkojë falje.

‘’ Duke bërë komente kaq fyese – menjëherë pas kërcënimeve për sanksione dhe pushtime ndaj një aleati të NATO-s – e ashtuquajtura marrëdhënie e veçantë po merr shpejt formën e një marrëdhënieje toksike’’, vlerëson ajo në analizën saj.

Analiza:

Nuk e kam parë kurrë Starmer-in kaq të zemëruar – dhe kjo mund të përshpejtojë një kthesë drejt Europës

Rrallëherë e kam parë Keir Starmer-in të zemëruar. Ai është një politikan që i mban emocionet të kontrolluara – të paktën në publik.

Por ai ishte qartësisht i mbushur me zemërim kur e kritikoi Presidentin Trump për komentet e tij “fyese dhe sinqerisht të turpshme” në lidhje me trupat jo-amerikane që shërbyen në Afganistan.

Starmer kishte kaluar natën në Chequers pasi priti homologun e tij danez për bisedime dypalëshe mbi Groenlandën dhe NATO-n, dhe u kthye këtë mëngjes në Downing Street mes një zemërimi në rritje kombëtar për fyerjen e turpshme të Trump ndaj trupave të NATO-s.

Kryeministri, në qortimin e tij më të ashpër deri tani ndaj Trump, ishte shumë kritik ndaj pretendimit të presidentit se trupat e NATO-s në Afganistan “qëndruan pak larg vijës së frontit”.

Për sqarim, 1.160 ushtarë të koalicionit jo-amerikan u vranë në Afganistan dhe mijëra të tjerë u plagosën, disa me dëmtime që u ndryshuan jetën.

Në total, 457 trupa britanike humbën jetën në luftime përkrah forcave amerikane.

Fakti që Presidenti Trump i nënvlerësoi kaq lehtë këto sakrifica ka shkaktuar një shpërthim zemërimi dhe dënim të përgjithshëm.

Është një fyerje jo vetëm për forcat tona, por edhe për një marrëdhënie të ndërtuar mbi një gjuhë të përbashkët dhe lidhje jashtëzakonisht të ngushta kulturore, politike, ushtarake dhe ekonomike gjatë dekadave.

Duke bërë komente kaq fyese – menjëherë pas kërcënimeve për sanksione dhe pushtime ndaj një aleati të NATO-s – e ashtuquajtura marrëdhënie e veçantë po merr shpejt formën e një marrëdhënieje toksike.

Për një kryeministër, detyra e parë e të cilit është siguria e vendit dhe e qytetarëve të tij, fakti që një udhëheqës tjetër fyen forcat e tij të armatosura është një goditje e ulët. Dhe më është thënë se Starmer donte ta bënte shumë të qartë qëndrimin e tij dhe të fliste në mbrojtje të forcave tona të armatosura.

Ndryshim i qartë toni

Deri tani, ai i kishte dënuar komentet ose veprimet e Trump vetëm si të gabuara.

Komentet e tij sot përfaqësojnë një ndryshim të qartë toni, pasi ai e kritikoi fort personalisht Trump-in dhe sugjeroi që presidenti amerikan duhet të kërkojë falje.

Sa i përket pasojave, qasja e Downing Street do të jetë të përpiqet të vazhdojë si më parë, duke iu përmbajtur parimeve dhe vlerave të Britanisë dhe duke bashkëpunuar me SHBA-në në mbrojtje, siguri dhe inteligjencë.

Por nuk ka asnjë dyshim se kjo javë e fundit e ka thyer magjinë.

Sjellja gjithnjë e më e çrregullt dhe e çuditshme e Trump-it e ka lënë Starmer-in pa asnjë alternativë tjetër veçse të largohet nga qasja e “përmbajtjes së Trump-it” dhe ta kritikojë hapur.

Gjithnjë e më toksike

Në rrethana të tjera, një kryeministër që ka investuar shumë në menaxhimin e marrëdhënieve me Trump-in, vetëm për t’i parë ato të përkeqësohen kaq rëndë, mund të ishte nën zjarr kritikash.

Ajo që e mbron është dënimi i përgjithshëm i Presidentit Trump nga të gjithë udhëheqësit politikë.

Madje, Starmer ka gjasa të përballet me më shumë presion për të rritur qëndrimin e tij armiqësor ndaj partnerit tonë gjithnjë e më toksik, SHBA-së.

Aleatët e kryeministrit u përpoqën të theksonin se kjo nuk është fillimi i fundit të marrëdhënies së veçantë – por është po aq e vërtetë që ngjarjet e javës së kaluar e kanë bërë atë lidhje të duket shumë më pak e qëndrueshme.

Starmer tashmë po kërkonte të thellonte dhe forconte lidhjet me Europën. Pas sjelljes së Shtëpisë së Bardhë të Trump-it këtë javë, ndoshta ai dëshiron ta përshpejtojë edhe më shumë këtë proces.

Të ngjashme

Të fundit