8.7 C
New York
Monday, November 25, 2024

Buy now

Analiza| ShBA, gara presidenciale dhe fushatat e kandidatëve

- Advertisement -

Presidenti Joe Biden pranoi sërish gjendjen e tij jo të mirë gjatë debatit të javës së kaluar me kundërshtarin e mundshëm Donald Trump, por thekson se do të qëndrojë në garën presidenciale. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns analizon fushatat e dy kandidatëve, ndërsa amerikanët festonin Ditën e Pavarësisë.

Në një vit zgjedhor, për festimet për 4 korrikut, Ditën e Pavarësisë së Amerikës, zakonisht mbështetësit e partive valvisin flamuj dhe bëjnë fushatë patriotike.

Por këtë vit, asnjë nga kandidatët kryesorë nuk ishte në fushatë elektorale pas debatit të tyre të parë javën e kaluar. Presidenti Joe Biden është duke u përpjekur të qetësojë mbështetësit pas paraqitjes së tij të dobët, ndërsa sfiduesi i tij Donald Trump kërkon që vëmendja të jetë tek kundërshtari.

Në një intervistë për stacionin radiofonik të Uiskonsit “WAUK”, zoti Biden tha se nuk pati një debat të mirë të enjten e kaluar.

“Ishte një natë e keqe. Dhe fakti është se bëra gabime. Por kam mësuar nga babai im, që kur të rrëzohesh, duhet të ngrihesh përsëri”, deklaroi ai.

Ekipi që merret me fushatën e zotit Biden po përpiqet ta ndihmojë duke treguar se ai ka ende mbështetjen e demokratëve.

“Unë jam këtu për t’ju thënë se presidenti Joe Biden është i gatshëm ta fitojë garën. Dhe të gjithë ne i premtuam mbështetjen tonë maksimale”, deklaroi Guvernatorja e Nju Jorkut.

Nga ana tjetër aleatët e zotit Trump në Kongres po ushqejnë debatin brenda Partisë Demokratike për zotin Biden.

“Unë mendoj se ata e dinë se kanë një problem serioz. Por nuk është vetëm politike. Nuk është vetëm Partia Demokratike. Është i gjithë vendi. Kemi një problem serioz këtu, sepse kemi një president, i cili në dukje nuk është në lartësinë e detyrës dhe këto janë kohë shumë të rrezikshme”, deklaroi Mike Johnson, Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve.

Sondazhi pas debatit të parë që u zhvillua në rrjetin televiziv CNN tregon se 56 për qind e demokratëve dhe votuesve të regjistruar me prirje demokrate tani thonë se kanë një shans më të mirë për të fituar me një kandidat tjetër përveç zotit Biden.

Profesori i historisë në Universitetin e Teksasit, Jeremi Suri thotë se fushatat elektorale të kandidatëve kanë ulje-ngritjet e tyre, por pyetjet për shëndetin e zotit Biden do të qëndrojnë për një kohë të gjatë.

“Ai mund të fitojë ende këto zgjedhje. Në fakt, ai mund të jetë ende favorit për të fituar këto zgjedhje nëse qëndron, por ekipi që merret me fushatën e tij shpresonte se debati do të qetësonte zërat për shëndetin e tij. Shqetësimet për shëndetin e tij nuk do ndalen. Ata do të jenë me ne çdo ditë të fushatës, nëse ai vijon”, thotë ai.

Ekpi i fushatës së Trump nuk zhvilloi asnjë ngjarje publike këtë javë, por me anë të një deklarate theksonte se “po vijonin aktivitetet për të mbeldhur sa më shumë fonde dhe për të vijuar fushatën në vjeshtë sa më të përgatitur për një fitore historike”

Zoti Trump uroi për 4 korrikun me anë të një videoje të postuar në rrjetin social “Truth Social”, ku ai thekson se “Amerika është një nga historitë më të mëdha të treguara ndonjëherë”.

“Nuk do të harrojmë kurrë se jemi amerikanë dhe e ardhmja na përket neve. Fryma e pavarësisë amerikane nuk do të zbehet kurrë, nuk do të dështojë kurrë, por do të mbretërojë përgjithmonë e përgjithmonë. Uroj çdo qytetar në mbarë vendin, një festë të lavdishme për Pavarësinë” , deklaroi ai.

Sipas ekspertëve ndërsa Partia Republikane që po përgatitet për konventën e saj politike këtë muaj, Trump kërkon të përfitojë dhe ta tregojë veten si të moderuar ndërsa kundërshtari i tij përballet me kritika.

“Ajo që Donald Trump do të dëshironte të bënte, nuk është vetëm të tregojë se ka energji, por të tregojë se është i përmbajtur. Pra ai do të duket sikur nuk është një gënjeshtar përballë një kandidati të dobët, por një kandidat i dobët është përballë një një kandidati të arsyeshëm”, thotë Jeremi Suri, Profesori i historisë në Universitetin e Teksasit Nga 4 korriku deri në ditën e zgjedhjeve në nëntor, Biden dhe Trump kanë 125 ditë të tjera për të bindur votuesit se ata janë zgjedhja e duhur./VOA/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit