Analiza e REL: Pse zgjedhja e pasardhësit të Khameneit është e ndërlikuar?

- Advertisement -

Të dielën, një ditë pas sulmit ajror izraelit që shkatërroi ndërtesën ku gjendeshin Khamenei dhe zyrtarë të tjerë të lartë iranianë, nga gërmadhat vazhdonte të dilte tymi.

Që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, udhëheqësi suprem i Iranit ka luajtur rol vendimtar në udhëheqjen e vendit, duke shërbyer gjithashtu edhe si lider shteti.

Boshllëku në krye tani rrezikon ta destabilizojë gjithë regjimin. Udhëheqësit iranianë po përpiqen të sigurojnë që strukturat e pushtetit që qeverisin vendin, të mbeten funksionale, dhe ky proces përfshin edhe gjetjen sa më shpejt të një pasardhësi për Khamenein. Ai do të bëhej udhëheqësi i tretë suprem i Iranit dhe do ta merrte drejtimin në kohën kur zyrtarë amerikanë kërkojnë hapur rrëzimin e Qeverisë teokratike, që ka sunduar këtë vend që nga viti 1979.

Si funksionon?

Zyrtarisht, organi përgjegjës për përzgjedhjen dhe mbikëqyrjen e postit të liderit suprem është Asambleja e Ekspertëve, e cila ka 88 anëtarë meshkuj dhe përbëhet kryesisht nga teologë të vijës së ashpër. Një paralelizëm të qartë diku tjetër në botë nuk ka.

Megjithatë, një entitet i ngjashëm mund të jetë Kolegji i Kardinalëve i Kishës Katolike Romake: të dyja janë organe elitare klerike, të përfshira në zgjedhjen e një lideri suprem. Por, kanë dallime të thella në bazën ligjore, mënyrën e përzgjedhjes së anëtarësisë, lidhjen me shtetin dhe kontekstin fetar.

Përbërja dhe funksionimi i Asamblesë u vunë nën vëzhgim nga viti 2014, kur Khamenei iu nënshtrua një operacioni për prostatë.

Pas ndërhyrjes, flitej se ai kishte probleme të mëdha shëndetësore, dhe ish-presidenti Ali Rafsanjani foli publikisht për çështjen se kush do të mund të vinte pas tij.

Rafsanjani, i cili shihej si rival i Khameneit, më vonë u margjinalizua nga klerikët e vijës së ashpër, të cilët nuk e pëlqenin mbështetjen e tij për demonstratat e ashtuquajtura Revolucioni i Gjelbër, që shpërthyen në vitin 2009.

Ai u largua nga posti i kryetarit të Asamblesë dhe vdiq në janar të vitit 2017.

Këto përplasje edhe ofruan një pasqyrë të manovrave politike që karakterizojnë organet qeverisëse të Iranit.

Sipas disa raportimeve, një komitet 3-anëtarësh brenda Asamblesë, prej vitesh, mban një listë me pasardhës të mundshëm, e cila thuhet se nuk është parë as nga anëtarët e tjerë.

Ish-presidenti Ebrahim Raisi shihej si pasardhës i Khameneit dhe besohej se po përgatitej për ta pasuar atë. Por, ai vdiq papritur në maj të vitit 2024, kur helikopteri në të cilin udhëtonte, u rrëzua.

Kjo krijoi një pengesë të madhe në procesin për gjetjen e pasardhësit të Khameneit.

Pra, Asambleja e Ekspertëve zgjedh se kush e pason Khamenein?

Zyrtarisht, po. Por, në realitet, situata është më e komplikuar. Kjo, pjesërisht për shkak të kërcënimit ekzistencial që po përjetojnë autoritetet, si pasojë e sulmeve nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.

Sipas Kushtetutës së Iranit, kur posti i udhëheqësit suprem lirohet, një këshill i përkohshëm udhëheqës – një lloj këshilli i luftës – e merr vendimmarrjen derisa të emërohet një lider suprem i ri.

Në këtë këshill të përkohshëm, udhëheqës janë presidenti Masud Pezeshkian – i cili nuk është klerik – si dhe kreu i sistemit gjyqësor të Iranit, Gholamhossein Mohseni Ejei.

Të dielën, një organ tjetër vendimmarrës, i njohur si Këshilli i Përshtatshmërisë, njoftoi se Alireza Arafi do të jetë anëtari i tretë i këshillit të përkohshëm udhëheqës. Arafi, një klerik i afërt me Khamenein, shërben si një nga dy zëvendëskryetarët e Asamblesë së Ekspertëve.

Në vitin 2020, Arafi u emërua nga Khamenei udhëheqës i të gjitha seminareve të vendit – një veprim ky që sugjeronte se ai i plotësonte kriteret fetare për t’u bërë udhëheqës i ardhshëm suprem.

Arafi shërben edhe në një organ tjetër vendimmarrës – Këshillin e Gardianëve – i cili përcakton nëse ligjet janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës Islamike dhe gjithashtu verifikon kandidatët zgjedhorë.

Jo domosdoshmërisht. Në vitin 2018, Khamenei emëroi një aleat konservator, Sadeq Larijani, për të shërbyer në Këshillin e Përshtatshmërisë. Në të njëjtën kohë, Larijanit iu dha edhe një vend në Këshillin e Gardianëve.

Këto lëvizje u panë si përpjekje e Khameneit për t’i margjinalizuar të moderuarit dhe për t’i forcuar zyrtarët më konservatorë. Pastaj, është edhe Mojtaba Khamenei – njëri nga gjashtë fëmijët e udhëheqësit të ndjerë.

Gjatë protestave kundër establishmentit më 2009, kishte thashetheme se Khamenei i ri është pretendent i fortë për të pasuar të atin. Djali i Khameneit besohet se ka ndikim të konsiderueshëm prapa skenave dhe lidhje të ngushta me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), e cila luan rol dominues në çështjet ushtarake, politike dhe ekonomike.

Por, pas vdekjes së Raisit, kur çështja e trashëgimisë së Khameneit ishte në vëmendjen e publikut, një anëtar i shquar i Asamblesë së Ekspertëve tha se Khamenei ishte kundër sundimit të trashëguar. Dhe, kjo dukej se përjashtonte Khamenein e ri. Një tjetër kartë e egër ëshë IRGC-ja, e cila do të dëshirojë t’i mbrojë interesat e saj të gjera.

IRGC-ja ishte mbështetëse besnike e Khameneit. Megjithatë, përveç Khameneit, sulmet ajrore izraelite dhe amerikane duket se kanë vrarë edhe shumë – ndoshta dhjetëra – zyrtarë të lartë ushtarakë, përfshirë pjesëtarë të lartë të IRGC-së./REL/

Të ngjashme

Të fundit