Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po qëndron në Pekin, ku po mbahet forumi ndërkombëtar “Belt and Road”. Madje, Vuçiq ka pasur një takim bilateral me presidentin e Kinës, Xi Jinpin, të cilën e ka quajtur “jashtëzakonisht miqësor”.
Në lidhje me këtë ka reaguar profesori universitar, Milazim Krasniqi.
Krasniqi, pjesmarrjen e Vuçiqit në forumin e Pekinit e ka quajtur fundi i iluzionit për Serbinë Evropiane.
“FUNDI I ILUZIONIT PËR “SERBINË EVROPIANE”/ Vizita e Vuçiqit në Kinë, marrëveshjet për tregti të lirë dhe për investime të reja kineze në Serbi, lavdet për “vetëbesimin” e Putinit, zbulojnë qartë kursin e vërtetë të Serbisë. Serbia më nuk e fshehë se është shtet vasal i Rusisë dhe se ekonominë po e lidhë me Kinën. Poashtu nuk po e fshehtë se politika e saj agresive kundër Kosovës, është e nxitur e të mbrojtur nga Rusia e nga Kina bashkë”, ka shkruar Krasniqi.
Krasniqi ka parashikuar eskalim të krizës në Kosovë pas kthimit të presidentit Serb nga Kina.
“Ky kurs nuk mund të frenohet e të ndryshojë me politikat e tashme të buta të BE-së e të SHBA-së ndaj Serbisë. Për ta frenuar Serbinë putiniane e gjingpiniane, duhen të ndërmirren këto dy veprime: e para sanksione dhe izolim nga Bashkimi Evropian, duke suspenduar edhe vizat për qytetarët serbë dhe e dyta, pranimi i Kosovës në NATO. Të gjitha të tjerat janë vetëm përpjekje të dështuara. Nëse nuk lëvizet në këtë drejtim shpejt dhe qartë nga BE e nga NATO, pas kthimit të Vuçiqit nga Kina, me instruksione të forta nga Gjingpingu e nga Putini, mund të pritet eskalim i krizës në Kosovë. Me bllokimin e SHBA-së në luftën në Lindjen e Mesme dhe me bllokimin e BE-së në Kosovë, Rusia e Kina do t’i shtynin përpara prospektet e tyre për ta mposhtur SHBA-në dhe Perëndimin”, ka shkruar Krasniqi.