Home Lajme Analisti i zhgënjyer me VV’në i reagon ashpër pushtetarëve, vë në pikëpyetje edhe patriotizmin e Kurtit

Analisti i zhgënjyer me VV’në i reagon ashpër pushtetarëve, vë në pikëpyetje edhe patriotizmin e Kurtit

0
Analisti i zhgënjyer me VV’në i reagon ashpër pushtetarëve, vë në pikëpyetje edhe patriotizmin e Kurtit

Bleron Baraliu, analist i çështjeve politike që dikur mbronte me ngulm Lëvizjen Vetëvendosje, ka bërë një reagim të ashpër ndaj partisë së Kurtit. Baraliu ka kritikuar qasjen e këtij subjekti politik karshi një qëndrimi të Richard Grenell, të emëruarit të Donald Trump për Misione Speciale, i cili tha se Kurti nuk është i besueshëm për SHBA’në.

Baraliu ka thënë se Kurti duhet ta rregullojë me urgjencë raportin me Grenell. Pos tjerash, ka vënë në pikëpyetje patriotizmin e Kurtit.

“Një patriot i vërtetë, siç do duhej të ishte Albini, ( e nuk jam më fare i sigurtë se sa gram patriotizmi kanë ngelur e intelektuali brenda tij nuk është tretur nën vrullin demolues të narcisoizmit të vet), duhet ose të rregulloj me urgjencë raportin me Grenell ose të thjeshtë tërhiqet nga gara për pushtet.  Kjo e dyta nuk kam dilemë është e paevitueshme për secilin patriot apo njeri me dy kokrra mend; kjo e para jam i bindur është lehtësisht e arritshme – por me inteligjencë, jo fanatizëm katunaresk e satira rron-xeniane”, ka thënë ndër të tjera Baraliu.

Reagimi i tij:

Një analizë e gjatë rreth prishjes së raporteve Prishtinë-Washington

Nuk e di prej nga gjithë kjo nervozë dhe injorancë e reagimeve kundër deklaratës së Grenell nga flakadanët e VV?!  A po doni me ‘detyru’ vet Trumpin me dal dhe konfirmu qëndrimin e Grenell si qëndrim zyrtar të administratës Trump apo çka?!

Nëse jeni duke jetu në një shpellë dhe nuk keni vërejtur çfarë po ndodh, Trump nuk është duke u tallur kësaj rradhe, qasja e tij është një e stuhisë që nuk pyet për meteorologë e mure mbrojtëse.  Kanada, Danimarka, Hamasi e Putini po optimizojnë si me u pozicionu karshi uraganit në White House, e ju spektakularët e një lagjeje mes Evropës e Turqisë po doni, të vetëm, me nisë betejën etike kundër ‘tiranisë’?!

Dëgjoni njerëz të ngutur e plotë iluzione: nëse Grenell thotë ‘nuk e duam Albinin dhe pikë!’, përgjigja nuk është ‘ne s’e pyesim Grenell, veç po ja rrit votën Binit, ai është pro-serb, nuk është ai Trump’ e broçkulla të ngjashme si këto.

Më lejoni t’ju ligjëroj pak mbi politikën amerikane dhe mënyrën e duhur të reagimit dhe ndërlidhjes me të. Në fund të fundit, unë kam qenë këtu mbi 30 vjet, qysh kur kemi filluar betejën për të tejkaluar cilësimin e UÇKsë si organizatë terroriste e plotë tjera si kjo…

1. Antagonizmi nuk është rruga e negociatave dhe luftimit të pozicionit të pafavorshëm nga Shtëpia e Bardhë.  Rekoncilimi duhet qenë caku dhe metoda e vetme. Diplomaci, jo çmenduri, është formula e vetme!!!

2. Kur flet një zyrtar i lartë (jo një kongresmen) si i kategorisë së Grenell, është duke folur krejt administrata dhe vet Presidenti.  Të jeni të bindur për këtë.  Në të kundërtën, nuk shkojnë më shumë se disa orë dhe Presidenti/Administrata ose e tërheqin qëndrimin me kujdes ose e ndëshkojnë dukshëm devijimin e zyrtarit në fjalë. Nëse nuk kemi tërheqje, nuk guxojmë të spekulojmë kaq cekët se Grenell është rast i izoluar. Dhe përderisa në të kaluarën qëndrimet amerikane janë përcjellur përmes kanaleve zyrtare, sot edhe synimi për aneksim të shteteve të tëra po përçohet përmes X/Twitter.  Agimi e Evi as nuk kanë far peshe as sens me ‘reagime’ instinktive të stilit ‘duhet të injorojmë e luftojmë Grenell apo Trump’ – këto janë iluzione e përralla në këtë situatë.

3. Kur një zyrtar amerikan deklarohet kundër teje (nesh), mënyra e vetme për t’a ballafaquar në kundërshtim është përmes aktivistëve/lobit shqiptar të Amerikës, të cilëve administrate ju përgjigjet si shërbëtor ndaj qytetarëve — kurrë jo si qytetarë e politikanë të jashtëm (përveç nëse keni dy katrorët e Kinës apo Rusisë…) Këto duhet bërë me mund e kujdes, jo duke u çaraveshur rrjeteve sociale e televizioneve, sikur rëndom bëjnë anti-amerikanët gjithandej në serbi, rusi, e Azi.

4. Një patriot i vërtetë, siç do duhej të ishte Albini, ( e nuk jam më fare i sigurtë se sa gram patriotizmi kanë ngelur e intelektuali brenda tij nuk është tretur nën vrullin demolues të narcisoizmit të vet), duhet ose të rregulloj me urgjencë raportin me Grenell ose të thjeshtë tërhiqet nga gara për pushtet.  Kjo e dyta nuk kam dilemë është e paevitueshme për secilin patriot apo njeri me dy kokrra mend; kjo e para jam i bindur është lehtësisht e arritshme – por me inteligjencë, jo fanatizëm katunaresk e satira rron-xeniane.

5. Populli, jo mujsharë të brendshëm e të jashtëm duhet zgjedhur lidershipin e vet.  Këtu nuk kam bindje tjetër!  Të besosh ndryshe do të thotë t’i dorëzohesh nënshtrimit dhe fundit të kurrizit tënd/tonë si njeri.

Nëse populli e voton VV më lartë se opozitën, (pra unë besoj gara këtu është mes dy taborreve, jo 5 — dhe le të themi VV arrin 45+%, diçka që më duket krejt e paarritshme, por le të supozojmë), atëherë Albini edhe duhet zgjedhur KM.  Por, nëse mendoni se Albini mund të bëhet KM i Kosovës kundër disponimit të administratës Trump (apo thjeshtë edhe vetëm kundër disponimit të Grenell, le të themi) mbi bazat folklorike të drejtësisë politike e etikës demokratike, dhe këtë ta arrij pa paguar një çmim të lartë me pasoja të thella për vendin e kombin tonë, ju jeni ose injorantë totalë politik ose të marrë – ose me gjasë të dyja bashkë.

Pra, në rast të këtillë, një patriot i vërtetë duhet të gjejë kompromisin e nevojshëm dhe hap rrugëm për të ruajtur aleancën strategjike shqiptarë-ShBA, qoftë edhe duke sakrifikuar vehten dhe tejkaluar Doning-Krugerin e tij.  Intrazigjenca dhe ballafaqimi kundër Grenell e Trump është çmenduri e klasit më të lartë sot.  Dhe mënyra e rrugë për kompromis të arsyeshëm ka mjaft, por të gjitha rrugët — kam frikë — çojnë përmes një dushi të ftohtë për Albinin dhe fanatikët kultistë me shpata kundër mullinjve të erës. Sepse Grenell është Trump dhe Trump është Grenell deri në çastin sa kjo nuk është dëshmuar në të kundërtën.  Dhe ‘dëshmi ndryshe’ nuk janë statusat e Rroni-Xeni plotë jargë apo persiatjet tartufiste të Kimetes e (disa) miqëve të mi shqiptaro amerikanë, por dëshni do të ishte vetëm një deklaratë tërheqëse nga dikush më lartë se Grenell – që do të thotë Rubio apo Trump.

Dhe, më thoni të dashur, nëse frenzi i reagimeve tuaja çegevariane se ‘Grenell është serb dhe duhet ta luftojmë sepse nuk është Trump’ rezulton në një deklaratë konfirmuese nga këta dy më lartë si nxitje pikërisht nga ju, ju dë të vazhdoni betejën pirroiste deri në tretjen e sovranitetit nën shpatë dhe deri në qytetarin e fundit, apo do të ulni dyfeqet dhe pranoni disfatën, duke dërguar Albinin në harrresa të impotencës politike kosovare?!

6. Dëgjojeni dostin tuaj të dashur, sepse — ndryshe nga ju — unë me miq shqiptarë të Amerikës e miq amerikanë kemi luftuar edhe Grenell në qëndrimet e tij të paarsyeshme më parë, e kemi arritur edhe rezultate, sado të vogla. Kemi luftuar edhe shumë të tjerë në kongres e DASH to influencuar nga serbë e me pozicione antishqiptare gjatë më shumë se 3 dekadave.  Por kjo nuk është beteja jonë, sot – JO!

Ulni kanaqet e tërfurqtë, fshati jonë minimalist nuk mund të rrëzoj dragoin që po gëlltet vilajete e kontinente të tëra me një gllabërimë.  Mos u bëni të marrë sa për të pretenduar se jeni të guximshëm!

7. E ti Albin Kurti, sado thellë të kesh gropuar vehten, më ke këtu kur të duash.  Unë jam gati të të dëftoj si e ndihmoj sa mundem të arrisësh ‘pajtimin’ e patejkalueshëm me Grenell e Trump — unë dhe plotë shqiptarë të tjerë në Amerikë që me zemër dhe mendje duam të ruajmë dinjitetin tonë por edhe prosperitetin e kombit e vendit amë, qoftë edhe me një politikan të ngathët në krye siç të kemi ty sot.  Por së pari duhet të zbresësh nga kali i narcisoizmit, përbish krenarinë ‘hegeliane’ dhe kuptosh që ti nuk ke as përvojë të njëmendtë e as inteligjencë sa i përket taktikave diplomatike dhe politikës amerikane.  Megjithatë, nuk është vonë të mësosh e përparosh, e kur mëson ti, fiton vendi dhe kombi ynë! Por jo kundër mullinjve të erës imzot Don Kishoti!

p.s. deri të Premten do të marrë pjesë në një debat televiziv për të diskutuar këtë çështje, sidomos nëse ky trend çmendurie vazhdon të na dënojë. Ju njoftoj…

Exit mobile version