Zhgënjimin e tij Gjenero e jep me atë që, sipas tij, Pahor ishte i mjegullt dhe shmangës sa i përket sulmit terrorist – që edhe evitoi emërtimin e tillë kur u pyet eksplicit – në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar, ndërsa kur ishte tema te Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe përveç që nguli këmbë, e dha edhe si të themelueshme nëse e merr mandatin pas Lajçakut në janar të 2025.
“Teksa lexoja intervistën e Borut Pahor, më duhet të them që jam përnjëmend i zhgënjyer…Po ngul këmbë në konceptin e Asociacionit – që për mua është problematike. Duke ngulur këmbë në këtë dhe duke mos e definuar krejtësisht hapur atë që ishte bërë në shtator të vitit të kaluar në Banjskë; kjo edhe s’më jep një fotografi të mirë për planet politike të Pahorit”, tha Gjenero për Nacionalen.
Për ekspertin kroat është “e dukshme” që Pahor pa që diçka mund të ketë ndërruar – teksa fliste se “nuk e di çka ndodhi në Bruksel” dhe se priste që në maj të mund të merrte pozitën. Gjeneros madje ia merr mendja që ai mund të mos jetë fare në këtë pozitë, gjykuar diskursin e tij gjatë intervistës në N1.
“Është e qartë se ai është në dijeni se zgjedhja e tij në këtë pozitë si ndërmjetës në dialogun Kosovë-Serbi do të ishte më e lehtë nëse do të bëhej gjatë mandatit të zotit Borrell dhe tash mëse e qartë se politika e jashtme në BE do të jetë nën kontrollin e zonjës Kaja Kallas”, na tha Gjenero.
“Është po ashtu e dukshme që zoti Pahor po përpiqet të shmang çfarëdo keqkuptimi mes vetes së tij dhe Aleksandar Vuçiqit; dhe që ai nuk është i përgatitur përnjëmend për atë që e thotë se ‘do ta ndërroj lojë’”.
Për Gjeneron problematikë në vete përbën ajo që, sipas tij, Pahor nuk ka dhënë indikacione të ketë strategji apo qasje të re që do t’i mbivendosej në perfomancë diplomatik sllovak, Miroslav Lajçak. Pse? “Nuk donte të definonte se cilat janë qëndrimet kryesore të palëve në këtë kontest”.
“Besoj se në rrethana të reja Kaja Kallas do të duhet të gjejë dikë tjetër, dikë më të qartë, më të drejtpërdrejtë të jetë ai që ndërron lojën dhe strategjinë në kornizën e njohjes (të kuptuarin) e Vuçiqit si lojtari kryesor në Ballkan, që të mos jetë diçka që komisioni evropian ta tolerojë më ose të provojë të jetë më pozicioni i tyre”, tha Gjenero në bisedë me Nacionalen.
Çka tha Pahori për Banjskën dhe Asociacionin?
U pyet saktësisht “a ishte sulm terrorist” nga media N1, por Pahori e tejkaloi me fraza të mjegullta dhe ambige, por që megjithatë e nxori paralelen me “gjelbroshët e vegjël” rusë në Krime në vitin 2014 kur kishte ndodhur aneksimi rus.
“Kishte dyshime, pasi bëhej fjalë për veprime që të kujtonin shumë hapat e parë të hedhur nga ushtarët rusë në Krime. Por këtu nuk mund të bëjmë paralele sepse nuk e dimë saktësisht se për çfarë bëhej fjalë. Prandaj, më duket se do të ishte në interes të autoriteteve serbe që të jenë jashtëzakonisht transparente për veprimet e atyre që ishin përgjegjës për incidentet e fundit, por kjo ende nuk ka ndodhur”, ka thënë Pahor.