Analisti gjerman dhe anëtari i Democratization Policy Council (DPC), Bodo Weber, ka thënë se plani franko-gjerman i njohur si Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Ohrit është iniciativa më e keqe në historinë e dialogut që drejton BE. Sipas tij, kjo iniciativë është edhe më e keqe se ajo e korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Iniciativa gjermano-franceze/Marrëveshja Bazë&Ohri mbetet iniciativa më e keqe dhe më e dëmshme në historinë e dialogut politik të udhëhequr nga BE-ja, më e dëmshme edhe se episodi i shkëmbimit të territoreve. Në vend të një dialogu të thellë dhe strategjik, të rivendosur drejt negociatave për një marrëveshje vërtet gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare me njohjen e plotë dhe formale të Kosovës nga Serbia në thelb, duke filluar me rindërtimin e besueshmërisë dhe autoritetit të BE-së ndaj Prishtinës dhe Beogradit pas vitit 2020, Brukseli (Berlini) zgjodhi një qasje jostrategjike të ngatërrimit”, ka deklaruar ai për Express.
Marrëveshjen e Ohrit, Weber e quan si një marrëveshje te sajuar, dhe ish-kryediplomatin evropian, Josep Borell, si negociatori më të keq në histori të Dialogut.
“Një nismë e bazuar në ripërtëritjen e politikës tashmë të dështuar të qetësimit perëndimor ndaj Beogradit, e cila vetëm sa e inkurajoi edhe më tej Vuçiçin në bindjen e tij (të saktë) se Perëndimi është i dobët, dhe e largoi Kurtin – vetë një partner shumë i vështirë – duke e bërë kështu nismën të dënuar me dështim që në fillim.Në fund, nisma u reduktua në atë që Përfaqësuesi i Lartë Borrell, negociatori më i dobët në historinë e dialogut të BE-së, në Ohër shpalli suksesin, pra e sajoj një marrëveshje, ndërkohë që si Beogradi ashtu edhe Prishtina, që nga dita e parë, u përqendruan në parandalimin e zbatimit të saj. Ndërkohë, BE-ja/Perëndimi shikonte në mënyrë pasive përshkallëzimin e paprecedentë në veri, për të cilin mban një pjesë të madhe të përgjegjësisë”, ka shtuar Weber.
“Fatkeqësisht, sipas deklaratave të para të kancelarit të ri gjerman Merz, deri tani nuk ka vullnet politik në kryeqytetet kryesore evropiane për një kthesë strategjike në dialogun politik, ashtu siç nuk ka as për ndryshimin e marrëdhënies së dështuar me regjimin e Vuçiçit. Prandaj, mund të pritet që BE-ja të vazhdojë të insistojë në zbatimin e marrëveshjes Bruksel-Ohër, pra që të gjitha palët të vazhdojnë të sillen sikur ekziston diçka konkrete, edhe pse në fakt nuk ka”, ka përfunduar Weber.






