5.9 C
New York
Friday, November 29, 2024

Buy now

Analistët: Tensionet në veri e acarimi i marrëdhënieve me ndërkombëtarët, s’janë në favor të Kosovës

- Advertisement -

Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë jo stabile. Qeveria e Kosovës duhet të bashkëpunojë me aleatët ndërkombëtarë për deeskalimin e situatës atje, thonë analistët politikë. Ata për Ekonomia Online theksojnë se vazhdimi i tensioneve në veri dhe acarimi i marrëdhënieve me ndërkombëtarët nuk janë në favor të Kosovës.

Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi, deklaroi se në veri kemi një lloj sovraniteti politik por ka një kontrollë policore, gjendja është e qetë në dukje por sipas tij e rrezikshme. Nga ana tjetër, analisti Fidan Ukaj shprehet se situata në veri të vendit duket e qetë por se ka një vigjilencë të shtuar të organeve të sigurisë, policisë së Kosovës e po ashtu trupave të KFOR-it.

Arifi thekson se qeveria duhet të gjejë mënyrën që ti bind serbët që jenë pjesë në zgjedhjet e ardhshme apo kurdo që ato bëhen.

“Në veri jemi në një situatë edhe pse ne po themi që kemi një lloj sovranitet e kemi një kontroll atje po jo një sovranitet politik ka dallim pra një kontrollë më shumë policore. Mirëpo kjo nuk do të thotë që gjendja është e qetë ajo në një farë mënyre është e qetë në dukje por e rrezikshme sepse ka shumë elementë latentë që ne nuk i shohim që mund në të ardhmen e afër të jenë, prandaj mendoj që duhet një zgjidhje politike. Qeveria duhet të gjejë mënyrën që ti bind serbët që të dalin në zgjedhje. Kjo është puna e qeverisë pra ti bind serbët ta gjejnë mënyrën ti bind ata që jenë pjesë në zgjedhjet e ardhshme apo kurdo që ato bëhen”, ka thënë Arifi.

Ai ka folur edhe për angazhimin e Kosovës në politikën e jashtme për çka ka thënë se është shumë i zbehtë prandaj, sipas tij na duhen partnerët për të na ndihmuar.

“Kjo ka të bëjë pikërisht me qasjen e qeverisë ndaj partnerëve të saj dhe në njëfarë mënyre Kosova po mendon që është njëfarë fuqie rajonale dhe kjo ndoshta mund të jetë pengesa kryesore pra te perceptimi i fuqisë së një vendi. Një njëfarë mënyre edhe kuptohet që aktiviteti i Kosovës në politikën e jashtme është shumë i zbehtë dhe njëfarë mënyre Kosova duhet kuptuar që vet nuk mund të bëj asgjë prandaj i duhen partnerët për ta ndihmuar dhe për të hipur sa më lartë i duhet ndihma e vendeve të fuqishëm e që Kosova nuk po din se si ta marrë me veti gjithë atë ndihmë”, ka thënë Arifi.

Nga ana tjetër, analisti Fidan Ukaj shprehet se situata në veri të vendit duket e qetë por se ka një vigjilencë të shtuar të organeve të sigurisë, policisë së Kosovës e po ashtu trupave të KFOR-it. Ai nuk pret që të ketë luftë klasike mes Kosovës dhe Serbisë por thotë se mund të ketë elementë të cilët financohen nga Serbia e Rusia që synojnë të përhapin konflikt. Gjasat që të ketë një përsëritje të incidenteve janë të mëdha, thotë ai.

“Situata është e qetë, kemi një vigjilencë të shtuar të organeve të sigurisë së policisë së Kosovës e po ashtu trupave të KFOR-it sidomos me perimetrin e jashtëm të kufirit e që është obligim i NATO-s, i KFOR-it, prezencës KFOR-it në Kosovë. Po ashtu, siç kemi dëgjuar zyrtarë të lartë të NATO-s, kemi edhe shtim të arsenalit luftarak që tregon se mund të ketë incidente përderisa kryerësi i veprës kriminale në veri të Kosovës, Radojçiq gjendet në liri dhe grupi që e ka kryer këtë akt gjendet po ashtu në liri. Gjasat që të ketë një përsëritje të incidenteve janë të mëdha. Megjithatë shtimi i trupave qoftë të policisë apo të KFOR-it, mendoj se e minimizon mundësinë që të ketë probleme dhe po ashtu të ketë incidente. Një luftë klasike mes Kosovës dhe Serbisë nuk e pres por se mund të ketë elemente të cilët sigurisht që financohen nga Serbia, Rusia që me përhap konflikt ashtu siç kanë qenë edhe paralajmërimet e zyrtarëve të NATO-së, e po ashtu të zotit Zelensky, i cili ishte për vizitë në Ballkan dhe paralajmëroi për një mundësi të eskalimit të situatës”, ka thënë Ukaj.

Ukaj ka deklaruar po ashtu se institucionet e Kosovës kanë nxituar, sidomos me ndërkombëtarët dhe posaçërisht aleatin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ukaj mendon se mosdëgjimi i aleatit strategjik (ShBA) për ta shtyer për një kohë të caktuar rastin e targave e që finalja do të ishte ndalimi i dinarit, do ta penalizojë Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe për njohje të reja.

“Mendoj që ka qenë një nxitim i institucioneve të Kosovës sidomos me ndërkombëtarët dhe aleatin tonë strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në rastin e targave, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar një periudhë kohe dhjetë mujore e nuk e dëgjuam aleatin tonë, po ashtu edhe tek çështja e dinarit, edhe pse është një vendim i drejtë, vendos ligjshmëri, respektimi i kushtetutës me pas veç një valutë në territorin e Kosovës. Megjithatë mosdëgjimi i aleatit tonë strategjik për me e shty për një kohë të caktuar e që finalja do të ishte ndalimi i dinarit në Republikën e Kosovës, mendoj se do të na penalizojë në rrugën e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për njohje të reja”, ka thënë analisti Ukaj.

 

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit