Me Marrëveshjen e Ohrit, Serbia është zotuar t’i ndalojë aktivitetet e bindjes së vendeve për ta tërhequr njohjen e Kosovës. Sipas analistëve në Beograd, kjo është pjesë e kompromisit për të cilin Serbia ka pranuar.

Mirëpo, mendohet se nga Serbia nuk varet nëse Kosova do të integrohet në organizata ndërkombëtare, evropiane dhe botërore.

“Serbia më parë është pajtuar me Marrëveshjen e Brukselit me dispozitën se nuk do t’i kundërshtojë ambiciet evropiane apo integrimin e Kosovës. Gjithashtu përmes Marrëveshjes së Ohrit promovohet bashkëpunimi rajonal, heqja e barrierave administrative, lëvizja e lirë e njerëzve për punë, tregti, kështu që është përjashtuar çdo lloj sabotimi apo krijimi i pengesave shtesë apo vështirësi në çdo proces integrues, qoftë ai rajonal apo evropian i Kosovës”, ka thënë Millosh Nikoliq, Klubi Libertarian Libek.

Marrëveshja e Ohrit kërkon që Beogradi të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Në lidhje me këtë pikë, në të cilën nuk përmendet konkretisht OKB-ja, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur disa herë se Beogradi nuk do të zbatojë pjesët që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Por njohësit e zhvillimeve politike thonë se çështja e anëtarësimit në OKB nuk varet as diplomatikisht dhe as politikisht nga Serbia, RTK.

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në OKB përfundimisht nuk varet nga Serbia. Por, siç e pamë, do të varet nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe në të ardhmen mund të jetë çështje e marrëveshjeje dhe negociatash mes Perëndimit me Rusinë dhe Kinën kur të zgjidhen disa çështje të tjera. Por kjo nuk është çështje e Serbisë dhe imponohet në mënyrë të rrejshme që Serbia po pyetet nëse Kosova do të jetë pjesë e OKB-së apo jo”, ka thënë Vuk Vellebit, Politolog.

Në Beograd vlerësohet se marrëveshja, edhe pse e panënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme dhe se shpejtësia e Serbisë në rrugën evropiane do të varet para së gjithash nga roli i saj në zbatimin e marrëveshjes me Kosovën.