Vetëm dy ditë i ka në krye të shtetit më të fuqishëm në botë por Kosova mori menjëherë vëmendjen e Administratës Trump.
Krejt kjo u bë për shkak të një deklarate të nënkryetarit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufa që kritikoi Presidencën e Bidenit dhe Obamas që sipas tij Kosovën e kanë vënë në situatë të disfavorshme në raport me Serbinë.
Por, kësaj i reagoi i dërguari i Trumpit për misione të veçanta, Richard Grenell që edhe më parë s’kishte raporte të mira me Vetëvendosjen, duke thënë se përgjatë katër viteve në pushtet e kanë lavdëruar presidentin Biden, kanë marrë pjesë në konventat e tij dhe takimet duke mos u ankuar më parë.
“Tash me ardhjen e administratës Trump, duke ditë që tash ka ardhë në pushtet, , mund të shihet edhe në këtë perspektivë që Konjufca po provon, që t’i afrohet një bashkëpunimi me administratën Trump”, ka thënë analisti Belgzim Kamberi.
Sipas Emir Abrashi nga Demokracia +, Grenell ia bëri me dije partisë në pushtet se nuk mund t’iu hidhet hi syve.
“Për tu afruar me administratën e re, provojnë të akuzojnë, administratën e vjetër, ajo që Grenell e shfaqi hapur në platformën X është që ata janë të vetëdijshëm për qasjen e eksponentëve dhe anëtarëve të këtij pushteti”, ka thënë Abrashi.
Për deklaratën e Grenellit, Dukagjini ka pyetur edhe Lëvizjen Vetëvendosje por ata nuk kanë kthyer përgjigje.