Njohësit e çështjeve politike në vend, kërkojnë që çështja e Asociacionit të mos bëhet siç kërkon pala serbe. Si e tillë, ata thonë se Qeveria duhet të jetë e fokusuar në një draft i cili do t’i marr parasysh vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese, e duke mos e cenuar karakterin unitar të shtetit.
Ndërsa për ngecje në dialog, fajin kryesor e bëjnë Serbinë, për të cilën thonë se është e interesuar të zvarrisë procesin dhe të bëhet anëtare e BE-së duke mos e njohur Kosovën.
Profesori Universitar, Milazim Krasniqi, ka thënë për Ekonomia Online se Bashkimi Evropian tashmë e ka ide të qarta se duhet të përfshihet edhe çështja e Asociacionit në marrëveshjen gjithëpërfshirëse.
Për këtë, Krasniqi ka kërkuar nga institucionet vendëse që ta përpilojnë një draft i cili është në përputhje me Gjykatën Kushtetuese.
“Elementet e Asociacionit tash për tash nuk mund t’i dimë, por bindja ime e thellë është që BE tashmë e ka një ide të qartë se duhet të përfshihet edhe çështja e Asociacionit një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Qeveria e Kosovës dhe institucionet duhet të jenë të fokusuara që të ofrojnë një draft i cili do të marr parasysh vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese, por që të mos cenohet karakteri unitar i shtetit tonë dhe në atë rast të gjendet një zgjidhje përmes së cilës do të akomodoheshin interesat reale të serbëve që jetojnë në Kosovë që Serbia të detyrohet të pranojë realitetin duke shkuar drejt një marrëveshje që e akcepton edhe njohjen e Kosovës”, tha Krasniqi.
Ndërsa i pyetur se çka nëse Kurti nuk e nënshkruan marrëveshjen me kushte ndërkombëtare, Krasniqi tha se insistimi i BE-së është që t’i mbyllë çdo lloje krize në Ballkan, e sidomos pas luftës në Ukrainë.
“Jam i bindur se do të kishte probleme për Qeverinë Kurti dhe për Kurtin personalisht sepse BE-ja pas përvojave që tashmë kanë në Ukrainë dhe rrezikut nga agresioni rus detyrohen të mbyllin çdo lloj krize në Ballkan sepse Rusia do të përpiqet të shpenzojë çdo hapësirë që gjen për ta destabilizuar Ballkanin dje për të krijuar një lloj paralelizmi për atë që po ndodh në Ukrainë. Unë besoj që Kurti dhe Qeveria e tij duhet të jenë shumë më të vëmendshëm dhe fleksibil në faktorët ndërkombëtar në këtë rast me BE dhe ShBA e të mos e refuzojnë apriori, por në të kundërtën duhet të gjejnë edhe elemente të një konsensusi të brendshëm në shoqërinë e Kosovës edhe me opozitën në mënyrë që të krijohet një front i përbashkët si interes strategjik që Kosova e ka për ta njohur Serbia dhe për t’u shndërruar në një faktor të stabilitetit në rajon sepse rreziqet janë potenciale”, tha ai.
Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu tha se deri tani nuk ka pasur dakordim për asgjë dhe përgjegjësia për ngecjen e procesit të dialogut gjithherë ka qenë e Serbisë.
Sipas tij, Serbia është e interesuar të zvarrisë procesin dhe të bëhet anëtare e BE-së duke mos e njohur Kosovën.
“Nuk mendoj që është e thjeshtë marrëdhënia konfliktuoze ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që të zgjidhet me një takim. Deri më tani nuk ka pasur dakordim për asgjë pothuajse dhe mendoj që përgjegjësia për ngecjen e procesit të dialogut gjithherë kaq qenë e Serbisë sepse Serbia në mënyrë të theksuar ka qenë dhe është të e interesuar të zvarrisë procesin dhe të bëhet anëtare e BE-së dhe të mos e njohë Kosovën. Prandaj kushtet që i ka vënë ajo ka qenë jo parimore dhe Kosovën ia kanë vënë fajin. Me një takim nuk mund të zgjidhet problemet dhe të arrihet marrëveshje. Janë 33 marrëveshje të nënshkruara në Bruksel dhe duhet të inkorporohen në një tekst përfundimtar”.
“Ky do të jetë proces që do të varet edhe nga rrethanat gjeopolitike në rajon e Evropë por edhe nga BE-ja. Be-ja si ndërmjetësues nuk ka qenë asnjëherë parimor dhe i drejtë që ta shtyjë procesin pa e dëmtuar asnjërën palë. Kosova s’ka çka ofron më tepër vetëm miqësinë dhe barazinë e qytetarëve me Serbinë. Kompromise Kosova dhe lëshime nuk mund të ofrojë më tepër se gatishmërinë që të pajtohet me Serbinë dhe ti normalizojë marrëdhëniet dhe ta njohin njëra-tjetrën reciprocikisht”.
Sipas tij, Kosova mjafton të shpreh gatishmërinë për pajtim që të normalizohen marrëdhëniet dhe të nënshkruhen dhe zbatohen 33 marrëveshje.
Baraliu potencoi se kryeministri Kurti ka vënë parime në dialog duke e ngritur nivelin e dialogimit.
Ai shtoi se Kurti as nuk duhet as nuk ka mandat të bëjë kompromise të mëtejme, andaj as Asociacioni nuk do të duhej të pranohej nëse Serbia nuk e bënë të njëjtën gjë për shqiptarët e Preshevës.
“Kosova ka dhënë çdo gjë dhe po jep çdo gjë për këtë marrëveshje eventuale për normalizim me Serbinë duke biseduar edhe për çështje të saja të brendshme që nuk do të duhej të ndodhtë sepse është shkelje e kushtetues dhe cenim i sovranitetit të vendit gjë që ka ndodhur në fazat e mëhershme të qeverive tjera. Kosova mjafton të shpreh gatishmërinë për pajtim dhe të normalizohen marrëdhëniet dhe të nënshkruhen dhe zbatohen ato 33 marrëveshje”.
“Kurti është mjaft serioz në dialog dhe e ka vënë në disa parime dialogun dhe e ka ngritur nivelin e dialogimit. E ka bërë në një masë të plotë. Edhe kjo Qeveri po dialogon për çështje të brendshme dhe ka bërë një marrëveshje tani që është kompromis madje që nuk është dashur të bëhet sa i përket marrëveshjes së energjisë. Por janë marrëveshje të nënshkruara më herët dhe e obligojnë këtë qeveri të nxirret nga disa kushtëzime por nuk po mund të dalë nga ajo vorbulle që e kanë futur qeveritë e mëhershme. Kurti as nuk duhet as nuk ka mandat të bëjë kompromise të mëtejme. Asociacion i nuk do të duhej të pranohej nëse Serbia nuk e bënë të njëjtën gjë për shqiptaret e Preshevës”, tha Baraliu.