Bashkimi Evropian gjatë kësaj jave ka paralajmëruar se do të komunikojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat blloku i ka përgatitur për shkak të mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të Kosovës.
E të njëjtat pritet të aplikohen më se largu të premten.
Masat sanksionuese për të cilat BE i ka paralajmëruar, analistët politikë po i vlerësojnë jo të drejta.
“Masat janë të padrejta ndaj Kosovës, për shkak se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë të qartë se që në fillim të procesit të dialogut ka manifestuar qasje të qartë ekspansioniste në raport me pjesën veriore të vendit tonë dhe ajo me çdo kusht synon që të krijoi parakushte territorial në katër komunat veriore gjë e cila do të ishte fatale për Kosovën”, vlerësoi profesori universitar, Arben Fetoshi.
Në anën tjetër, politologu Fidan Ukaj thekson se vendosja e masave ndaj Kosovës do të reflektonte një imazh të keq për vendin.
Derisa kërkoi që kryeministri kosovar të marrë hapa drejt zbatimit të kërkesave të aleatëve ndërkombëtarë.
“Kurti duhet të reflektoi sa më shpejtë dhe zotimin e marrë në Bruksel për organizmin e zgjedhjeve në katër komunat komunat veriore ta zbatojë dhe në teren dhe të gjejë modalitetet për të shpallur këto zgjedhje duke i nxitur kryetarët e komunave që të japin dorëheqje. Pastaj në baze të legjislacionit në fuqi këto zgjedhje të mbahen”, tha Ukaj.
Në samitin e Këshillit të Evropës, të enjten, disa liderë evropianë kanë përsëritur thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për t’i ulur tensionet. /Tëvë1/