Një takim i mundshëm i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb nuk pritet të ndodhë shpejt në Bruksel. Megjithatë, Brukseli ka vazhduar t’u bëjë thirrje të dyja vendeve që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet. Së fundmi kërkesë e tyre është shtyrja e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për euron si valutë e vetme.
Për dinarin u fol edhe në Bruksel, por Kosova u përfaqësua nga guvernatori. Së këndejmi, njohësit e zhvillimeve politike po konsiderojnë se dialogu nuk ka kuptim të vazhdojë pa u trajtuar si palë të barabarta të dyja vendet.
Madje, zyrtarët në Bruksel ritheksuan se Kosova dhe Serbia nuk do te përparojnë drejt BE-së, nëse s’i zbatojnë ato.
Por sipas profesorit Mazllum Baraliu, nisur nga qasja e bashkësisë ndërkombëtare për të mos i trajtuar palët barabartë, nuk mund të ketë dialog, e sidomos pas sulmit të Banjskës.
“Nuk do të ketë takim e para , nëse do të ketë do të prodhoj zero rezultate, sikurse edhe deri më tani që tre vite rezultatet e bisedave përveç imponimit të një akti që e kanë imponuar disa vende të Bashkimit Evropian , Franca dhe Gjermania , dy palëve e cili nuk është pranuar nga njëra palë ekskluzivisht nga tjetra është pranuar naivisht, nuk mund të ketë dialog derisa palët nuk trajtohen barabartë , derisa Kosova sanksionohet pa asnjë bazë dhe arsye”, ka thënë Baraliu për RTK.
Kurse analisti politik, Visar Xani, tha se procesi i dialogut duhet të intensifikohet në mënyrë që marrëveshjet të gjejnë zbatim sa më shpejtë, në të kundërtën e vlerëson si proces të komplikuar.
“Është një proces i komplikuar nëse nuk kemi rezultat deri në fundin e kësaj pranvere, pret një proces zgjedhor, si në Kosovë dhe në SHBA dhe BE. Të gjitha këto procese zgjedhore kanë ndikim në procesin e dialogut dhe mbetet të shihet se kur do të kemi rezultate të tjera. Për ne si Kosovë është me rëndësi që procesi i dialogut të mbyllet sa më shpejtë dhe të hapet rruga për t’i përdorur të mirat e dialogut në aspekt praktik dhe mos të kemi më shumë masa dhe presione ndaj Kosovës”, ka shtuar Xani.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë takuar ndaras muajt e fundit kryeministrin Kurti dhe presidentin serb. Një takim tjetër në Bruksel për çështjen e dinarit ishte javën e kaluar, por aty nga Kosova mori pjesë guvernatori i Bankës Qendrore.