Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një kërkesë tjetër e ndërkombëtarëve karshi autoriteteve të Kosovës.
Megjithatë njohësit e çështjeve politike në vend po konsiderojnë se kjo temë mund të zgjidhet njëlloj si ajo e Manastirit të Deçanit derisa deklaratat e emisarit amerikan, Escobar, po i quajnë të prera.
“Deklaratat e Escobar ishin shumë të qarta por shumë kritike dhe nuk lënë hapësirë për interpretime. Pra, kërkesa e tij që të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese drafti i Asociacionit është një urgjencë dhe sa më shpejtë që e dërgon kryeministri Kurti këtë statut në Gjykatën Kushtetuese aq më mirë do të jetë për të sepse në të kundërtën presionet vetëm sa do të rriten derisa të bëhen të padurueshme dhe pastaj do të kemi probleme të jashtëzakonshme”, tha për RTK-në Artan Muhaxhiri, analist politik.
Edhe analistja politike, Arta Tahiri-Beqa, po konsideron se pas Marrëveshjes se Deçanit, e cila ishte në përputhje me Kushtetutën e vendit, qeveria do të vazhdojë t’i zbatojë marrëveshjet që nuk janë në kundërshtim me të.
Tahiri vlerëson se me këtë rast Kosova duhet të përfitojë më shumë.
“Çka do të fitojë Kosova në këtë mes, në këtë dialog. Në këtë bisedim çka do marrë Kosova? Me çështjen e vendimit për Manastirin e Deçanit Kosova nuk mori asgjë konkrete, vetëm se mendohet se mund të jetë pjesë apo të hapet drita e gjelbër për Këshillin e Evropës, e që mendoj që është shumë pak. Ajo çfarë duhet të fitojë Kosova në këtë rast, sidomos me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duhet patjetër të jetë njohja në qendër nga ana e Serbisë, dhe gjithashtu duhet të jetë e domosdoshme që Kosovës t’i hapet e drejta për të qenë anëtare e Bashkimit Evropian”, tha Tahiri-Beqa.
Analistët po konsiderojnë se marrëveshjet që janë verifikuar nga Gjykata Kushtetuese do të duhej të jetësoheshin shumë më herët që Kosova të mos humbte në kohë drejt integrimit të saj.