20.7 C
New York
Wednesday, September 10, 2025

Buy now

Analistët: Bllokada në Kuvend po bëhet nga partitë shqiptare

- Advertisement -

Bllokada e fundit në Kuvendin e Kosovës dhe dërgimi i komenteve në Gjykatën Kushtetuese nga presidentja Vjosa Osmani kanë nxitur debate politike dhe juridike në vend. Në emisionin “RTK Prime”, analistët kanë dhënë vlerësimet e tyre për situatën, duke folur për arsyet e vërteta të bllokimit të punës së Kuvendit.

Analistët theksuan se bllokada nuk po vjen nga komuniteti serb, por nga përplasjet dhe taktizimet brenda vetë partive shqiptare. Diskutimi u përqendrua edhe në mundësinë e interpretimeve nga Kushtetuesja dhe ndikimin që ato mund të kenë në funksionimin institucional të vendit.

Profesori i së drejtës, Flamur Hyseni, tha se është e çuditshme pjesa e interpretimit politik për një gjendje të ardhshme. Ai theksoi se vetoja nuk është as teorikisht e mundur në sistemin kushtetues të Kosovës.

“Interpretim politik është t’i paraprish ngjarjet, të japësh konstatime dhe të nxjerrësh konkluzione të tilla për një veto të mundshme, e cila as teorikisht dhe as në sistemin kushtetues të Kosovës nuk është e mundur, e lëre më praktikisht. Kjo është totalisht e pamundur, në një republikë tipike unitariste, çfarë është Republika e Kosovës”, tha ai.

Tutje, Hyseni u shpreh se, nëse Gjykata Kushtetuese do të bënte një interpretim të tillë, sipas tij, do të ishte një nga skandalet më të mëdha.

“Komuniteti serb dhe asnjë komunitet tjetër në Kosovë nuk e ka statusin e komunitetit konstituiv të institucionit kryesor, që nënkupton se konstituimi i Kuvendit të Kosovës, për çfarëdo arsye, nuk mund të jetë i varur nga qëndrimet politike të komunitetit serb”, vijoi ai në ‘RTK Prime’.

Hyseni shtoi se bllokadën në Kuvend e kanë shkaktuar me mosvotim partitë shqiptare.

“Këtu ka një taktizim politik; nuk është çështje kushtetuese apo juridike. Është një taktizim politik me synim blerjen e kohës. Politikisht, kjo është një politikëbërje e çuditshme. Lista Serbe dhe deputeti Adem Hoxha po përdoren në mënyrë tipike politike nga PDK dhe LVV, në mënyrë strategjike e interesante”, theksoi ai.

Edhe politologu Melazim Koci, tha se bllokada po mundësohet nga partitë shqiptare.

“E supozojmë që serbët synojnë bllokimin, por ai është i pamundur sipas Rregullores, sepse paragrafi 7 i nenit 12 thotë se ‘në rast të mospropozimit të kandidatëve, propozimi bëhet me short’, siç ndodhi atë ditë. Dhe çfarë ndodh? Zgjidhet njëri nga serbët dhe çështja është e përfunduar. A do të vijë ai në kryesi më pas, a do të protestojnë apo jo, a do të jenë të kënaqur apo të pakënaqur – kjo nuk ka rëndësi. Bllokadën nuk po e bëjnë serbët; ata e synojnë bllokadën, por po e shfrytëzojnë përçarjen mes partive shqiptare”, deklaroi Koci.

Po ashtu, politologu Dorajet Imeri fajësoi dy partitë shqiptare, PDK dhe LDK, si bllokuese të Kuvendit.

“Sikurse Lista Serbe, edhe Nenad Rashiq janë të barabartë në Kuvendin e Kosovës dhe ata mund të bëhen pjesë e kryesisë vetëm kur të kenë 61 vota. Bllokues në këtë rast janë PDK dhe LDK, sepse LVV-ja ka votuar për një nga kandidatët dhe ka votuar kundër kandidatëve të tjerë. Unë besoj që, me sqarimin që potencialisht do ta japë Gjykata Kushtetuese, kjo çështje do të përmbyllet dhe do të nxjerrim mësimet e duhura”, deklaroi Imeri në ‘RTK Prime’.

Të ngjashme

Të fundit