Me Amir Rrahmanin në qendër të mbrojtjes, Napoli ka arritur të fitojë dy tituj kampion në tre vitet e fundit. Kombinimi i tij me Kalidou Koulibaly kishte bërë që linja e mbrojtjes të duket e pakapërcyeshme, në titullin e parë, ndërsa në të dytin ishte lider absolut.
Për të gjithë trajnerët që e kanë pasur (Gennaro Gattuso, Luciano Spalletti, Rudi Garcia dhe Antonio Conte), Rrahmani ka qenë gjithmonë i pazëvendësueshëm.
Ky sezon, në 10 ndeshjet që ai ka munguar për shkak të dëmtimit, Napoli ka pësuar 17 gola. Kur ka luajtur ai, në 8 takime, skuadra ka marrë vetëm 3 gola.
Numrat flasin vetë. Edhe bashkëlojtarët e repartit mbrojtës përfitojnë nga prezenca e tij – si Alessandro Buongiorno dhe Sam Beukema, që shpesh dukeshin të pasigurt, me Rrahmanin pranë fitojnë qetësi, ndërsa Juan Jesus ka rifituar sigurinë si mbrojtës.
Në ndeshjen e fundit kundër Romës, Rrahmani ishte ndër më të mirët në fushë. Ai udhëhoqi linjën mbrojtëse me siguri, lexoi përpara çdo aksion të kundërshtarit, fitoi duelet me Ferguson. Nga një ndërhyrje e tij u krijua aksioni që solli golin e Napolit. Në pjesën e dytë mbylli çdo sulm me qetësi dhe vendosmëri.
Statistikat e tij në atë ndeshje: 10 ndërhyrje mbrojtëse, dhe 100 përqind duele ajrore të fituara.
Rrahmani është gjithmonë në vendin e duhur, një mur i fortë dhe një lider i heshtur. Shpesh i nënvlerësuar nga media dhe tifozët, ai mbetet një mbrojtës fenomenal dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të Napolit, shkruan faqja Calcio Totale.
Për mbrojtësin dhe paraqitjen e tij ndaj Romës në “Olimpico”, kanë shkruar edhe “La Gazzetta dello Sport” dhe Corriere dello Sport”.
Amir Rrahmani – një profesor i mbrojtjes dhe një nga top-lojtarët e Napolit








