Qendërmbrojtësi i kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani nuk e nisi mirë sezonin e ri, pasi pësoi një lëndim që e mbajti jashtë fushës për pothuajse dy muaj.
Mirëpo, tash e tri ndeshje, Rrahmani duket se është këndellur, duke luajtur minutat e plota në tri ndeshjet e fundit me Napolin.
E, ky i fundit po ia shpërblen mundin qendërmbrojtësit kosovar, duke ia ofruar një kontratë të re.
Ajo aktualja është valide deri në vitin 2027, me mundësi vazhdimi edhe për një sezon tjetër, mirëpo Napoli dëshiron t’ia ofrojë kontratën e re, me kushte më të mira.
Siç raporton “Corriere Mezzogiorno”, Rrahmani pritet të përfitojë një pagë të re prej 4 milionë euro në vit.
Sezoni që po zhvillohet, është i gjashti me fanellën e Napolit për Rrahmanin, i cili po ashtu e ka fituar dy herë Serie A-në.






