Kosova e refuzoi kategorikisht një draft-statut për Asociacionin që e prezantoi Ekipi Menaxhues në një takim të nivelit të lartë në Bruksel. Megjithatë, Bashkimi Europian e konsideroi si pikënisje për të përfunduar çështjen më problematike të procesit të dialogut.
Pas këtij takimi, edhe Unioni edhe SHBA kërkojnë nga Kosova që ta përfundojë themelimin e tij sa më shpejt. Emisari Gabriel Escobar tashmë e ka një projeksion se kur duhet të marrë fund kjo çështje bashkë të tjerat të mbetura të marrëveshjes.
“Nuk shoh asnjë arsye pse të mos mund të përfundojë deri në fund të verës”, tha Escobar gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve malazeze “Mina”.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara duan që këto procese të zhvillohen sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Edhe nga Kosova pritet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Më falni, kjo nuk është pritje. Është obligim”, tha Escobar.
Pa e përmendur verën, por urgjencën që kërkohet për zbatimin e plotë dhe të shpejtë të marrëveshjes së arritur në Bruksel, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, dje ka thënë se zbatimi i plotë është rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënies Kosovë-Serbi. Gjithashtu, ai ka bërë thirrje që të mbarojë atmosfera negative dhe mungesa e konstruktivitetit.
Edhe senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, që dje qëndruan në Kosovë për vizitë zyrtare kanë kërkuar që Kosova ta përfundojë themelimin e Asociacionit këtë vit, duke e vënë theksin te koha. Sidoqoftë, ata e vunë në pah edhe obligimin e Serbisë për të mos e penguar Kosovën në rrugën e saj të konsolidimit të shtetësisë.
“Serbia duhet të ndalojë që të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, dhe mendoj se është e kuptueshme që komunat me shumicë serbe të kenë njëfarë mundësie për të bashkërenditur shërbimet që i ofrojnë. Por, koha ka shumë rëndësi. Është viti kur duhet të kryhet kjo çështje dhe që të mundësohet lëvizja drejt normalizimit, që do të çojë deri te njohja e ndërsjellë. Prandaj, na vjen mirë që dëgjuam për planet tuaja për zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe jemi të gatshëm që t’iu përkrahim”, tha Murphy pas takimit me Kurtin.
Senatori Murphy u shpreh se si Kosova, ashtu edhe Serbia janë para zgjidhjeve të vështira.
Derisa krijimin e Asociacionit në emër të Adiministratës Biden e ka kërkuar shefja e USAID’it, Samantha Poëer, në vizitën që pati këtë muaj në Kosovë.
“Kemi pasë bisedime të gjera [me Kurtin] në orët e fundit në lidhje me urgjencën e krijimit të Asociacionit, si dhe urgjencën për zbatimin e plotë të të gjitha aspekteve të marrëveshjes”, kishte deklaruar ajo në një konferencë për media në Prishtinë.
Derisa po përballen me kërkesa për krijim urgjent të Asociacionit, krerët e Kosovës kërkojnë me ngulm që të mos ketë kushtëzime në zbatimin e marrëveshjes me Serbinë.
“Ato [Marrëveshja bazë dhe Aneksi] përbëjnë avancim të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe janë platformë mundësi për normalizimin e plotë të tyre. Prandaj, na duhet zbatim i tërësishëm, i shpejtë dhe pa kushtëzime”, ka thënë dje kryeministri Albin Kurti.
Për afatin e përmendur deri në verë për zbatimin e pikës për Asociacioni sot është pyetur edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Kojunfca.
“Unë mendoj që marrëveshja nuk ka kushtëzime. Është gabim që të ketë një pikënisje në formë të kushtëzimit. Marrëveshja, që besa, nëse e lexoni me vëmendje – sekuencimi i saj – d.m.th hapat sipas kohës siç janë paraparë janë vetëm ata që fillojnë pas nenit të dytë. Pra, ka sekuencime për aspektet tjera. Neni 2 i Marrëveshjes hyn në fuqi në momentin kur palët pajtohen për Marrëveshjen. Neni 2 është që shtetet të funksionojnë si shtete sovrane me të drejta reciproke ndaj njëra-tjetrës. Serbia është duke e sfiduar këtë. Pra, po i mbyll sytë dhe po bëhet se nuk ka ndodhur asgjë me këtë marrëveshje”.
Konjufca tha se po të mos ishte ky nen që do të hyjë në fuqi menjëherë, Kurti s’do ta pranonte marrëveshjen.
“Sepse ajo marrëveshje do të fillonte me Asociacionin, Qeveria jonë nuk do të kishte interes ta nënshkruante atë marrëveshje. Marrëveshjen e ka nënshkruar sepse thuhet se Neni 2 hyn në fuqi momentin kur palët pajtohen dhe ndoshta kjo edhe është arsyeja pse Vuçiqi s’e ka qitë nënshkrimin”.
Megjithatë, Konjufca tha se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të merret si e mirëqenë meqë edhe është e publikuar në faqen zyrtare të Bashkimit Europian. /Express/