18.3 C
New York
Tuesday, June 17, 2025

Buy now

Ambasadorja shqiptare rrëfen situatën në Izrael: Rrugët bosh, qyteti i paralizuar, po jetojmë ditë dhe netë shumë të gjata

- Advertisement -

Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, ka folur për situatën e tensionuar që po përjeton Tel Avivi, pas shkëmbimit të sulmeve raketore mes Izraelit dhe Iranit.

Në një lidhje direkte për emisionin “Top Story”, Kumbe tregoi se puna e ambasadës shqiptare po vijon në kushte të jashtëzakonshme, kryesisht nga banesat, duke ndjekur me përpikmëri udhëzimet e ushtrisë izraelite.

“Janë ditë dhe netë shumë të gjata, zgjuar, me shumë emocione. Por, në krye të detyrës. Për qytetarët këtu mendoj se do të jetë një eksperiencë që do t’u mbetet në mendje tërë jetës. Shumë tronditës, por i ra ta jetonin, po e jetojmë të gjithë bashkë,” tha ambasadorja.

Ajo rrëfeu se qyteti është i paralizuar, rrugët krejtësisht bosh, ndërsa jeta është reduktuar në funksionin më bazik.

“Qyteti është i pezulluar. Në spitale është liruar hapësira për emergjenca me një disiplinë të jashtëzakonshme. Të vetmet struktura që punojnë janë ato esenciale si supermarketet, furrat e bukës dhe farmacitë. Çdo gjë tjetër është e mbyllur: shkollat, kopshtet, këndet e lojërave, palestrat. Nuk duhet të ketë grumbullime njerëzish,” sqaroi ajo.

Ambasadorja kujtoi se situata e parë iu ngjasonte ditëve të pandemisë COVID-19, sidomos kur njerëzit nxituan të blinin ushqime dhe furnizime.

“Ne ishim udhëzuar të kishim furnizime për 72 orë – ujë, konserva, ushqime të thata,” shtoi ajo.

Sipas Kumbes, ushtria izraelite ka marrë të gjitha masat për të mbrojtur qytetarët.

“Pak para se të bënim lidhjen, na u kërkua të jemi pranë zonës së sigurisë. Raketat balistike mund të jenë nisur drejt Izraelit dhe në momentin që bien sirenat, duhet menjëherë të futemi në zona të sigurta,” u shpreh ajo.

Një nga shqetësimet më të mëdha aktualisht është edhe prania e rreth 40 mijë turistëve në Izrael, të cilët presin të evakuohen.

“Kanë ngecur në vendet ku kanë qenë me pushime,” konfirmoi ambasadorja shqiptare.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të reja.

Të ngjashme

Të fundit