Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën, Elvana Shala, ka denoncuar përpjekjet e Misionit të Serbisë në OKB në Vjenë për të penguar përfaqësimin e Kosovës në ZeroConference, për shkak të beretës me simbolin e UÇK-së.
“Jemi në një konferencë të diplomacisë publike dhe të drejtave të njeriut dhe secili ka një simbol të shtetit të tij. Është e drejta ime të kem simbolet që identifikojnë shtetin tonë”, ka shkruar Shala në një postim në Facebook.
Ajo ka theksuar se përpjekjet e Serbisë për ta ndaluar nuk kanë rezultuar dhe nuk do të mund të ndalojnë zërin e Kosovës.
“Tentuan të më pengojnë, por nuk ia dolën dhe nuk do t’ia dalin të ndalojnë zërin tonë asnjëherë”, ka shtuar Shala.
Ambasadorja Shala ka njoftuar se detajet e tjera rreth pjesëmarrjes së saj dhe zhvillimeve në konferencë do t’i ndajë pas kthimit në Kosovë.






