Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka, ka paraqitur një ankesë formale ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), e udhëhequr aktualisht nga ministrja në detyrë Donika Gërvalla, duke kërkuar kompensim material dhe rillogaritje të pagës, shkruan Demokracia.com.
Megjithatë, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka vlerësuar se nuk ka kompetencë ligjore për të vendosur mbi këtë rast, duke e orientuar çështjen drejt Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas dokumentit zyrtar të datës 9 janar 2026, ambasadorja Zherka ka dorëzuar më 22 dhjetor 2025 ankesën në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, përmes së cilës ka pretenduar se MPJD nuk ka zbatuar Aktgjykimin KO79/23 të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Ankesa kishte të bënte me moskompensimin material për përvojën e punës, dhe neutralizimin e rritjes së pagës përmes zvogëlimit të shtesave diplomatike.
Në kërkesën e saj, ambasadorja kishte kërkuar që MPJD të obligohej për rillogaritjen e përvojës së punës me efekt retroaktiv nga 1 shkurti 2023, si dhe kompensimin e diferencës së pagës deri më 31 dhjetor 2025.
Nga shkresat e lëndës rezulton se Ariana Zherka ka qenë e punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme që nga viti 2017, në pozitën Udhëheqëse e Departamentit për Çështje Politike. Më 30 shtator 2021, ajo është emëruar Ambasadore dhe Shefe e Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në Mal të Zi, me dekret të Presidentes së Republikës së Kosovës.
Ky emërim është bërë në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik.
Arsyetimi i Këshillit Mbikëqyrës
Pas shqyrtimit të ankesës, Kolegji për Shqyrtimin dhe Vendosjen e Ankesave ka konstatuar se Këshilli nuk është kompetent për të vendosur në këtë rast, për shkak të statusit juridik të ankueses.
Sipas ligjeve në fuqi, ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike: janë funksionarë publikë të emëruar nga Presidenti, dhe nuk kanë status të nëpunësit civil.
Si të tillë, ata përjashtohen nga fusha e zbatimit të Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe, rrjedhimisht, nga juridiksioni i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, i cili shqyrton vetëm ankesat e nëpunësve civilë dhe kandidatëve për shërbimin civil.
Në vendimin e tij, Këshilli ka udhëzuar ambasadoren Zherka që çështjen ta ndjekë përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, duke theksuar se vetëm gjykata është kompetente për të shqyrtuar këtë kontest.






