Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka pritur në takim Të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e ShBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, të cilës i ka folur për punën e policisë kosovare në nivel vendi me objektiva “në interes të rendit kushtetues”.
“Nga drejtori Hoxha, ndër të tjera u tha se Policia e Kosovës bazuar në detyrat, misionin dhe vizionin e saj, si një polici profesionale, po përmbush me sukses objektivat e saja strategjike, në interes të ruajtjes së rendit kushtetues dhe shërbimit ndaj të gjithë qytetarëve në nivel vendi”, u tha në komunikatën e policisë.
Postimi i plotë:
Drejtori i Përgjithshëm i PK-së takoi të ngarkuarën me punë në ambasadën e SHBA-së në Kosovë
Prishtinë, 21 maj 2025
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha me bashkëpunëtorë, takoi të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë znj. Anu Prattipati.
Në takimin i cili u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së, u diskutuan çështje të rëndësishme që lidhen me situatën e sigurisë së përgjithshme në Republikën e Kosovës, si dhe tema të ndryshme në interes të organizatës policore.
Nga drejtori Hoxha, ndër të tjera u tha se Policia e Kosovës bazuar në detyrat, misionin dhe vizionin e saj, si një polici profesionale, po përmbush me sukses objektivat e saja strategjike, në interes të ruajtjes së rendit kushtetues dhe shërbimit ndaj të gjithë qytetarëve në nivel vendi.
Dy palët diskutuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, si dhe rëndësinë e ruajtjes së besimit të të gjithë qytetarëve me qëllim që ata dhe komunitetet e tyre të mbahen të sigurta në mënyrë efektive. Drejtori Hoxha shprehu gatishmërinë për të avancuar më tej bashkëpunimin në fushat me interes të përbashkët.