5.6 C
New York
Friday, November 15, 2024

Buy now

Ambasadori suedez: Kosova ka nevojë ta reklamojë veten, kompanitë suedeze veçse kanë filluar ta shohin potencialin e saj

- Advertisement -

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka thënë se kompanitë suedeze kanë filluar ta shohin potencialin e Kosovës. Në një intervistë për Ekonomia Online, ai ka thënë se Kosova ofron kushte të mira për tërheqjen e investimeve të reja, me taksa dhe paga të ulëta, por ka nevojë për më shumë marketing.

Ai ka thënë se interesimin më të lartë e ka parë nga kompanitë teknologjike suedeze dhe qendrat e thirrjeve (call centers).

Si shembull, ai ka përmendur inaugurimin e një kompanie të re suedeze në Kosovë “Sigma Technology Group”, javën e kaluar. Kjo kompani, siç ka thënë ai, po planifikon që t’i punësojë rreth 150 punëtorë në tri vitet e ardhshme në Kosovë.

Westerlund ka thënë po ashtu se sipas disa studimeve, shqipfolësit kanë tendencë ta flasin gjuhën angleze më mirë se vendet e rajonit dhe se pikërisht për këtë arsye kompanitë suedeze po i konsiderojnë më shumë Kosovën dhe Shqipërinë për hapjen e qendrave të thirrjeve.

Sipas tij, trendi i ri është që kompanitë e vendosura para 20-30 vitesh në vendet aziatike si India dhe Indonezia, kanë filluar të rivendosen në Evropën Juglindore.

Ai ka shtuar se është shumë i përkushtuar që ta rrisë tregtinë mes Kosovës dhe Suedisë.

“Ka pasur pak tregti mes Kosovës dhe Suedisë. Kompanitë kosovare janë mjaft të mira ne shitjen e produkteve në Austri, Zvicër dhe Gjermani. Kjo është edhe për shkak të diasporës. Edhe ne kemi një diasporë me kosovarë në Suedi, rreth 65 mijë njerëz. Prandaj, kjo është edhe puna ime dhe e ambasadorit të Kosovës në Stokholm, që të punojmë në këtë drejtim. Kemi filluar një odë nordike të tregtisë, vitin e kaluar. Para se të vija këtu, verën e vitit 2023, po mendoja se kemi një odë nordike të tregtisë në Beograd, një në Tiranë dhe Sarajevë, e pyeta veten pse jo edhe një në Kosovë”.

“Ka interesim të lartë nga kompanitë suedeze, ose për ta filluar prodhimin këtu, ose për ta transferuar prodhimin këtu, sidomos kompanitë teknologjike. Javën e kaluar, patëm inaugurimin e një kompanie suedeze “Sigma Technology Group”. Është një kompani aktuale në Kosovë, e quajtur “Up Bytes” me 17 punëtorë dhe ideja është që ata do ta fillojnë biznesin këtu përmes kësaj kompanie dhe do ta rrisin kompaninë deri në 150 punëtorë brenda tre vitesh. Ka kompani tjera të interesuara gjithashtu”, është shprehur ai.

Një shembull tjetër suksesi që ambasadori ka përmendur ishte edhe kompania telefonike suedeze “Ericsson”, e cila është duke operuar që disa vite dhe ka përmirësuar shumë shërbimet telefonike në Kosovë.

“Kemi edhe kompaninë telefonike suedeze ‘Ericsson’, e cila është duke punuar tashmë për disa vite në Kosovë dhe po përmirëson dukshëm shërbimet telefonike. Por, pjesa më e mirë është se ata do të fillojnë qendrën e tyre R&D, për hulumtime, në Prishtinë. Do t’i punësojnë rreth 45 persona duke punuar në këtë qendër. Çdo qendër e tillë është e rëndësishme sepse kjo do të thotë se mund ta krijosh një qendër teknologjike për Kosovën, e cila shpërndahet në kompani tjera më të vogla pastaj dhe qendra tjera hulumtuese”, ka thënë ai.

Mirëpo, ai ka theksuar se Kosova duhet të përpiqet më shumë t’i arrijë kompanitë e kryeqyteteve të tjera dhe t’u tregojë se është vend i mirë për të filluar biznes.

“Shoh potencial të madh në Kosovë. Mendoj se Kosova ka kushte të shkëlqyera për të tërhequr investime. Ka taksa të vogla dhe rroga jo shumë të larta në krahasim me vendet tjera në Evropë. Besoj se themeli është aty, por Kosova ka nevojë për më shumë dialog, më shumë marketing. Duhet më shumë komunikim me kompanitë e kryeqyteteve tjera, për t’ju treguar se Kosova është një vend i mirë për të filluar një biznes”.

“Shoh një interesim të madh nga kompanitë suedeze edhe për ‘call centers’. Para 20-30 vitesh ka qenë një fenomen në Evropë për t’i shpërngulur këto ‘call centers’ në Azi, në vendet si India dhe Indonezia. Tani po e shohim të kundërtën, këto kompani po shpërngulen në Evropën Juglindore”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se me ndihmën e inteligjencës artificiale, këto kompani, në vend se t’i punësojnë 1000 punëtorë, mund t’i kenë vetëm 100 të tillë, prandaj ka shumë kompani të interesuara që të vendosen në Kosovë.

“Një shembull që e kam dëgjuar është se nëse ke një kompani me 1000 të punësuar në Indi, një ide biznesi do të ishte shpërngulja e kësaj kompanie në Kosove dhe përdorimi i inteligjencës artificiale. Në vend se të kesh 1000 të punësuar, mund t’i kesh vetëm 100.  Siç mund ta kuptoni kjo mund të jetë shumë përfituese për një kompani. Po e shoh se ka kompani suedeze të interesuara ta bëjnë këtë, pra të zhvendosin qendrat e thirrjes nga Azia në Kosovë”.

“Një fakt interesant është që kompanitë kanë shikuar karakteristika gjuhësore të gjuhëve të ndryshme në Evropë, dhe ekspertët gjuhësor kanë konkluzionet se gjuha shqipe, pra ata që e flasin gjuhën shqipe, e flasin gjuhën angleze më së miri, pa ndonjë theks. Prandaj, kjo është një arsye pse ato po e konsiderojnë Kosovën”, ka thënë Westerlund për EO.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit